Shqipëria, vend i domosdoshëm për Evropën

13.01.2015 18:33

Ndonëse një vend i vogël, por Shqipëria duket se është e domosdoshme për Evropën...

Ky pohim vjen pikërisht nga Italia, e cila kryesoi Bashkimin Evropian për 6 muaj, presidencën e të cilit e dorëzoi zyrtarisht mesditën e sotme.

Mateo Renzi, e vlerësoi jo vetëm Shqipërinë, por edhe Serbinë e Malin e Zi, ndërsa sugjeroi zgjerimin e familjes evropiane. Ky fjalim u përshëndet nga kryeministri, Edi Rama, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale përforcoi idenë e Renzit, duke u shprehur se Evropa ka nevojë t’i japë fund frymëmarrjes dhe frymëzimit të frikës para se të jetë tepër vonë. Fjala e Renzit u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, por edhe nga kontestimet e euroskeptikëve.

Vlerësime për Shqipërinë janë dhënë sot edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili sot mori zyrtarisht detyrën e diplomatit në Tiranë.

Këto deklarata erdhën menjëherë pasi presidenti, Bujar Nishani, i dorëzoi ambasadorit të ri letrat kredenciale që e zyrtarizojnë si ambasador. (Luljeta Ndoka, TVM2)