Maqedoni
Rishikimi i buxhetit, LSDM: Mundëson mirëqenie ekonomike
12.07.2022 15:30
Vazhdojnë përplasjet mes partive politike në seancë plenare të Kuvendit....

Vazhdojnë përplasjet mes partive politike në seancë plenare të Kuvendit ku po debatohet për rebalancin e buxhetit. Përderisa opozita vlerëson se ky rebalanc vetëm se do të ngarkojë xhepin e qytetarit, pasi janë planifikuar më shumë shpenzime se sa të hyra. Nga LSDM thonë se ky rebalanc mundëson rritje të rrogave, masa të reja kundër krizës dhe punësime të reja.
“Me këtë rebalanc, ne kemi siguruar 4.7 miliard denarë më shumë për masa të reja të targetuara për ndihmë financiare për ata që kanë më shumë nevojë. 1.9 miliard denarë për masa aktive për punësime të reja që është rritje për 3 herë e gjysmë në krahasim me vitin 2016. 23 miliard denarë për transfere drejt komunave, me qëllim përmirësimin e kushteve për jetesë në të gjitha komunat. Në të njëjtën kohë kemi edhe shfrytëzim racional të mjeteve të buxhetit dhe kursejmë atje ku ka mundësi. Prandaj i ulim mjetet për mobilje për 171 milion denarë dhe mjetet për blerjen e automobilave për 107 milion denarë.”,- deklaroi Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
ASh: Pushteti nuk po kursen për luks
Nga ASh kundërpërgjigjen se pushteti votoi kundër rritjes lineare të rrogave, kurse në kohë të krizës globale ekonomike, pushteti nuk po kursen për luks.
“Kur u bë rroga minimale ju cekët se të gjithë do ti inkorporoni, kurse tani në komision votuat kundër rritjes së rrogës lineare, në bazë të asaj që detyronte rrogën minimale. Sa i përket transfereve, ju nuk keni bërë transfere në qeverisjen lokale për 0.5%, ku ligjin e keni mbajt nëpër labirinte të kuvendit dhe kjo është për çdo kritikë. Ndërsa sa i përket bërjes së veturave përsëri keni të planifikuar 228 milion denarë dhe blerje e mobiljeve 109 milion denarë. Unë vlerësoj se në këtë kohë krize këto shpenzime jo të krahasohen me vite tjera, por të eliminohen në minimum.”,- tha Adnan Neziri nga ASh.
VMRO: Vendi po ngulfatet në borxhe
Edhe nga VMRO-DPMNE janë të mendimit se nuk janë shkurtuar shpenzimet jo-produktive, duke thënë se me këtë rebalanc vendi vetëm se do të ngulfatet në borxhe.
“Me këmbëngulje po gënjeni se janë shkurtuar shpenzimet jo-produktive. Ja do të tregoj disa fakte. Te rrogat dhe kompensimet janë dedikuar 554.7 milion denarë më shumë se në buxhetin fillestar, shpenzimet për mallra dhe shërbime janë rritur për 35 milion euro. Shpenzimet ditore rrugore janë rritur për 3.4 milion euro, shërbimet komunale, ngrohja dhe transporti 24.3 milion euro më shumë, shërbime të dakorduara 32.4 milion euro më shumë se sa janë parashikuar para gjashtë muajve.”,- theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Me rishikimin e buxhetit të hyrat janë paraparë 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë më të larta se parashikimet fillestare, ndërsa shpenzimet në nivel prej 288,5 miliardë denarë ose rreth 16 miliardë denarë më shumë në raport me projeksionet fillestare për vitin 2022.
ERSAN PAJAZITI
