Komuna e Tetovës akuzon SPB – Tetovë: S’dha leje për organizimin e shëtitores së diasporës

12.07.2022 18:10

Komuna e Tetovës e ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.....

Komuna e Tetovës e ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, se nuk ka dhënë leje për bllokimin e disa rrugëve për organizimin e “Shëtitores së Diasporës”.

Nga komuna e Tetovës akuzuan se kishin dërguar dokumentacion të nevojshëm që ky manifestim të mbahet. Përgjigjen negative nga SPB-Tetovë e shohin si politikë dhe kundër komunës së Tetovës.

“Ajo që të habit është fakti se pas gjithë konsultimeve paraprake dhe miratimeve verbale nga ana e përfaqësuesve të MPB-së si dhe detyrimeve ligjore, përgjigja është negative. Kjo e bën të pamundur realizimin e këtij projekti, i cili do të ishte pritur mjaft mirë nga qytetarët dhe veçanërisht nga bizneset e përqendruara në këtë pjesë të qytetit duke e ditur se të hyrat nga ardhja e mërgimtarëve janë tejet të larta dhe shpëtim për bizneset tona. Kjo nuk ka tjetër se si të shpjegohet përveçse një vazhdimësi e vendimeve me prapavijë politike kundër komunës së Tetovës dhe tetovarëve, që për fat të keq, këtë radhë shënjestër janë edhe mërgimtarët.”,- tha Besar Durmishi nga komuna e Tetovës.

SPB – Tetovë: Bllokimi i rrugëve në kundërshtim me ligjet

Ndërkaq, nga policia e Tetovës, theksuan se bllokimi i rrugëve është në kundërshtim me ligjet për siguri në trafikun rrugor.

“Në lidhje me kërkesën e komunës së Tetovës, për ndryshimin e regjimit të komunikacionit në pjesën e bulevardit ” lliria" në Tetovë kryqëzimet me Bulevardin “Bllagoja Toska” dhe Rruga “Jane Sandanski"  sipas nenit 155 dhe 156 të Ligjit për sigiuri në Komunikacionin Rrugor   me qëllim të krijimit të Shëtitores së diasporës, në periudhën prej datës 01.07 deri më 31.08.2022, nga ora 20:00 deri në ora 01:00, Ministria e Punëve të Brendshme - Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, nuk pajtohet që të miratoj kërkesën, për arsyet  se sipas nenit 347 paragrafi 1 i Kodit Civil, objektet e destinuara për qarkullim rrugë, lagje, rrugica nuk lejohet të konvertohen dhe të përdoren për nevoja të tjera.”,- u shpreh zëdhënës i SPB – Tetovës, Fatmir Rexhepi.

Pushteti lokal në Tetovë më tej akuzon se një vendim i këtillë i policisë dëmton edhe sektorin e biznesit  por njëkohësisht është edhe kundër  mërgimtarëve. (Visar Sadiki, TVM2)