Covid-19, 511 raste të reja në 24 orët e fundit, interesimi për dozën e 4 vazhdon të rritet
Numri i të infektuarve me Covid-19...

Numri i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë vazhdon të rritet. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1.489 testime dhe janë regjistruar 511 raste të reja me COVID-19.
Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup me 276 raste. Po ashtu janë regjistruar 129 riinfektime dhe 264 pacientë të shëruar, ndërsa numri i rasteve aktive është 1889.
Interesimi për dozën e katërt të vaksinës kundër Covid-19 vazhdon të rritet. Mjekët thonë se klinikat janë të gatshme për valë eventualisht të re të virusit korona. Nga java e kaluar ka filluar imunizimi me dozën e katërt të vaksinës kundër Kovid-19 dhe në Poliklinikën “Jane Sandanski” janë vaksinuar mbi 400 pacientë.
“Interesimi për tu vaksinuar po rritet, të gjithë ata që kanë pranuar tre doza të vaksinës kundër Kovid-19, munden pas katër muajve nga doza e tretë të marrin edhe dozën e katërt .Cdo ditë punojmë në poliklinikën “Jane Sandanski” nga ora 7 e 30 deri në orën 15.00.”,- tha Ana Urumova benjanovski nga “Poliklinika Jane Sandanski”.
Autoritetet shëndetësore thonë se doza e katërt e vaksinës kundër Kovid-19 zbatohet me Fajzer ose Moderna dhe rekomandohet për të sëmurët kronikë, pacientët ne dializë, pacientët me transplant, ata onkologjik,si dhe tek personat mbi 60 vjeç.
Varianti i ri shfaqet në të paktën 10 vende të botës
Teksa mendohej se pandemisë Covid-19 po i vjen fundi, një variant i ri është shfaqur në të paktën 10 vende duke rritur ndjeshëm rastet e reja me virusin gjatë javës së fundit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë reagoi së fundmi në lidhje me variantin BA 2.75 të koronavirusit duke theksuar se situata po ndiqet nga afër.
Shfaqja e këtij variant ka bërë që rastet e reja me koronavirus të rriten me 30% brenda dy javësh në të gjithë botën.
Gjatë javës së kaluar, rastet me Covid-19 janë rritur me shpejtësi në Hong Kong, me më shumë se 2,000 raste të reja pozitive që regjistrohen çdo ditë.
Qindra mijëra njerëz janë në izolim në një qytet të vogël kinez pasi u zbulua vetëm një rast i Covid-19. Autoritetet në disa rajone kanë vendosur një sërë kufizimesh ndërsa përpiqen të zvogëlojnë shpërthimet e reja të nxitura nga varianti Omicron me përhapje të shpejtë.
Varianti dominues i Covid-19 aktualisht është Omicron, i cili përbën 100% të infeksioneve. Pavarësisht rritjes së rasteve, Zyra Federale e Shëndetit Publik ka informuar se situata epidemiologjike është nën kontroll. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
