Lufta në Ukrainë, rritet numri i viktimave, sulmet ruse vazhdojnë
Numri i të vdekurve nga sulmi rus në një bllok banesash në Donetsk.....

Numri i të vdekurve nga sulmi rus në një bllok banesash në Donetsk është rritur në 34, njoftojnë autoritetet lokale.
Ndërtesat e banimit në qytetin Chasiv Yar u goditën pasi Rusia i shtoi edhe një herë sulmet e saj mbi qytetet dhe qytezat në Ukrainën lindore në përpjekje për të marrë kontrollin mbi të gjithë zonën e Donbasit.
Në mesin e viktimave ka edhe fëmijë dhe mbi 40 civil u plagosën në sulm, tha Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Donetsk.
“Operacioni i shpëtimit po vazhdon dhe shërbimet e urgjencës kanë pastruar rreth 70% të rrënojave. Të paktën 34 njerëz vdiqën dhe mbi 40 të tjerë u plagosën në sulm.Kërkimet për trupa të tjerë nën rrënoja vazhdojnë. Numri i viktimave mund të rritet” – tha Kreu i administratës ushtarake në Donetsk, Pavlo Kyrylenko.
Chasiv Yar dhe qytete të tjera në Donetsk ditëve të fundit kanë qenë nën bombardimet ruse, në përpjekje për të mposhtur rezistencën ukrainase në zonë dhe rusët të lëvizin në perëndim, drejt Kramatorskut dhe Slovianskut.
Shpërthime ka patur edhe në qytetin Nova Kakhovka, qyteti i pushtuar nga Rusia . Shtatë persona janë zhdukur dhe besohet se janë nën rrënoja.
“Shtatë njerëz janë të zhdukur, ka shumë të ngjarë të jenë nën rrënoja. Ne nuk kemi informacion të saktë për momentin. Unë mendoj se numri do të rritet për shkak të shkatërrimit në masë. Pasojat e goditjes në Novaya Kakhovka janë të krahasueshme me shpërthimin në Bejrut, kjo është një katastrofë për qytetin.Impianti që prodhonte pajisje për hidrocentrale në të gjithë botën u shkatërrua si rezultat i granatimeve” – deklaroi Kreu i Qytetit Novaya Kakhovka.
Granatat ruse kanë goditur edhe qytetin jugorë të Ukrainës Mykolaiv. Dymbëdhjetë persona janë plagosur ndërsa shtëpitë janë shkatërruar
“Armiku bombardoi qytetin masivisht gjatë natës. Rusët po shënjestrojnë zonat e banuara, qendrat tregtare, dhe ndërtesat e banimit” – deklaroi Nënkryetari i Zyrës së Presidentit, Kyrylo Tymoshenko.
Administrata ushtarake rajonale tha se forcat ruse vazhduan të sulmojnë komunitetet përreth Mykolaiv, por fatmirësisht nuk është raportuar për viktima. Fshatrat përgjatë kufirit midis Mykolaiv dhe Kherson janë bërë vijat e frontit të luftës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
