Të inkurajohet në mësim besimi fetar

13.01.2015 18:36

Institucionet vendore duhet të inkuadrojnë në mësim besimin fetar në shkolla, në mënyrë që pjesëtarët e bashkësive të ndryshme fetare të njoftohen me besimet e njëri-tjetrit....

Në këtë mënyrë do të mundësohet që të mos mbizotërojnë paragjykimet për njëri-tjetrin dhe të kuptohet se asnjë besim fetar nuk përkrah terrorizmin. Kështu vlerësoi sociologu, Ali Pajazit, sipas të cilit stereotipat ndodhin në shoqëri sepse ne nuk njohim njëri-tjetrin dhe shpeshherë incidentet fetare nuk marrin dënimin e duhur.

“Në këtë drejtim duhet që qytetarin ta edukojmë me frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe me frymën e dialogut. Pra, që tjetërsia të perceptohet në mënyrë konstruktive dhe në mënyrë pozitive larg prej paragjykimeve, larg prej stereotipave dhe klisheve se tjetri është armik. Sepse thuhet që njeriu është armik i gjërave që nuk i njeh. Pra, ne na duhet një njohje më e mirë mes vete. Na duhet ndërtimi i urave mes vete, jo i mureve mes komuniteteve dhe bashkësive të cilat jetojnë në këtë shoqëri”- deklaroi sociologu, Ali Pajaziti.

Sipas sociologut Pajaziti, për parandalimin e incidenteve fetare rol të rëndësishëm ka informimi objektiv i mediave, dënimi i akteve të tilla dhe politika të mos politizojë religjionin, por të promovojë vlerat e saj.

Ndërsa autoritetet vendore, duke u bazuar në analizat e deritanishme, vlerësojnë se Maqedonisë nuk i rrezikohet siguria.

“Ne po ndjekim me shumë vëmendje ngjarjet që ndodhin në botë, përfshi dhe ato në Paris. Përveç analizave tona, ne bëjmë analiza të përbashkëta edhe me vendet partnere për situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon. Në këtë moment Maqedonia është e sigurt”- tha ministri i Mbrojtjes, Jolevski.

Në një reagim me shkrim edhe nga BFI-ja thonë se dhuna nuk është pjesë e Islamit dhe ata dënojnë sulmin terrorist në Paris të Francës, sepse nuk ka asnjë religjion i cili do të arsyetonte veprimet tororiste. (Sanije Kasami, TVM2)