Gjendje e jashtëzakonshme në Sri Lanka, presidenti arratiset, gjen strehim në Maldive
13.07.2022 11:33
Protestat prej më shumë se një muaji në Sri Lanka kanë detyruar kryeministrin...

Protestat prej më shumë se një muaji në Sri Lanka kanë detyruar kryeministrin, Ranil Uikremesinge, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës në përpjekje për t’i shpërndarë protestuesit e mbledhur jashtë zyrës së kryeministrit. Në provincën perëndimore, që përfshin edhe kryeqytetin, Colombo, është vendosur shtetrrethimi.
Mijëra protestues që kanë dalë në rrugë të zemëruar javët e fundit, fajësojnë administratën e ish-presidentit Raxhapaksa për krizën më të keqe ekonomike në dekada. Për muaj të tërë, ata u përballën me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, si dhe me mungesa në ushqime, karburante e medikamente. Protestat i dhanë fund dinastisë së familjes presidenciale, që drejtoi Sri Lankën për dekada të tëra.
Presidenti, është larguar nga vendi me një avion ushtarak, pasi u detyrua të japë dorëheqje.
73-vjeçari ka mbërritur në Maldive me bashkëshorten e tij dhe dy zyrtare të lartë të sigurisë, nga ku synon të largohet përfundimisht drejt një vendi të tretë.
Drejt SHBA-së është larguar edhe vëllai i tij, ish-ministri i Financave, Basil Raxhapaksa. Parlamenti pritet të mblidhet me 20 korrik , për të votuar presidentin e ri.
