Botë
Covid-19, 4000 infektime të reja në 24 orë në Rumani
13.07.2022 13:50
Në vetëm një muaj, rastet me Covid-19 në Rumani janë rritur 24 herë....

Në vetëm një muaj, rastet me Covid-19 në Rumani janë rritur 24 herë. Nga e hëna, autoritetet rifilluan raportimin ditor dhe të dhënat tregojnë se në 24 orët e fundit janë infektuar mbi 4000 rumunë. 1361 persona janë në spitalet në vend, shumë reparte Covid janë plot e autoritetet po hapin kapacitete të reja. Megjithatë, për fat të mirë, rastet nuk janë shumë të rënda siç ishte në fillim të pandemisë.
Shkalla e vaksinimit në Rumani është 41.8%, dhe mjekët rekomandojnë dozën e 4 për ata që janë mbi 60 vjeç, kanë sëmundje kronike, por veçanërisht për ata mbi 80 vjeç.
“Ka 4320 punkte ku njerëzit mund të testohen. Ka 169 qendra vlerësimi funksionale. Vaksinimi ndërkohë bëhet në zyrat e mjekëve të familjes, janë gjithsej 4000 mjekë të regjistruar.”,- tha ministri i shëndetësisë i Rumanisë, Alexandru Rafila.
Rritja e infektimeve Covid në SHBA, Fauci: Të mos e lejojmë që të na e prishin jetën
Rritja e rasteve të reja javët e fundit dhe shtrimet në spital kanë detyruar edhe autoritetet amerikane t’iu bëjnë thirrje qytetarëve të mos tregojnë neglizhencë pasi pandemia ende nuk mund të quhet e përfunduar dhe vijon të marrë jetë.
Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, tha se nuk duhet lënë që kjo përhapje e re e Covid-19, të na e prishë jetën, por nuk mund të mohohet se është një realitet me të cilin duhet të merremi. Ai shtoi se edhe nëse dikush së fundmi ka e kaluar Covidin duhet të marrë dhe dozë përforcuese vaksine.
SEDAT SELIMI
