Maqedoni
Ambasadori Jan Kopp: Gjeni kompromis me Sofjen, ne ju mirëpresim në BE
13.07.2022 15:11
Problemet bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes nuk kanë vend në kornizën negociuese...

Problemet bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes nuk kanë vend në kornizën negociuese, potencojnë vazhdimisht diplomatët ndërkombëtarë. Ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kop, thotë se situata me integrimin e Maqedonisë së Veriut do të ndiqet sipas rregullave të përgjithshme për aderim në BE, duke shtuar se është legjitime të mund të bllokojë secili shtet anëtarë i unionit, po qe se konkludon mungesë plotësimi kushtesh ndaj shtetit që zhvillon negociata me BE-në. Vendi ynë, sipas tij, e ka në dorë fatin e vet, por përkujton rëndësinë e fillimit të bisedimeve tani, kur unioni është i përqendruar shumë për këtë çështje.
“Politika e unionit thotë se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen mes dy shteteve dhe nuk ka vend për këto problemet në kornizën negociuese. Nëse mund të marrin ndonjë kompromis tani mes jush dhe Bullgarisë, atëherë hapen dyert. Të jem i sinqertë. Nuk jam shumë i interesuar për fundin negociatave sesa për fillimin, sepse vetëm kur ti keni plotësuar kushtet, do të bëheni anëtare e unionit, me të drejta të njëjta sikur Bullgaria. Teoritikisht, a mundet një shtet ta bllokojë këtë proces deri në fund? Po. Secili kapitull është vendim i ri politik, për të cilën duhet konsensus nga të gjitha vendet anëtare.”,- tha ambasadori i Holandës në RMV, Dirk Jan Kopp.
Borell: Nuk e shmangim Shkupin dhe Tiranën nga agjenda
Ndërkohë edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, ka folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në një intervistë për median malazeze "Vijesti", Borrell ka theksuar se Unioni do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për përmirësimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe të BE-së edhe pse Samiti i fundit nuk solli rezultate për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai njëherit ka apostrofuar nevojën e progresin në reforma nga ana e shteteve ballkanike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
