Maqedoni
Kuvendi bëhet gati për debat, të enjten seanca plenare për propozimin francez
13.07.2022 15:54
Kuvendi përgatitet për debatin lidhur me propozimin francez....

Kuvendi përgatitet për debatin lidhur me propozimin francez. Seanca u caktua për të enjten, pasi Qeveria dorëzoi materialin shtesë të Informacionit për përmbajtjen e propozim kornizës-negociuese për bisedimet paraqasëse me BE-në.
Nga zyra e kryeprlamentarit Talat Xhaferi, nuk bëjnë të ditur se si është procedura në raste të tilla, i referohen vetëm nenit 185 të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit nuk ka kohë të caktuar për seancën e materialeve. Është e paqartë edhe nëse pas kalimit të konkluzioneve në seancë plenare do të kalojë edhe në komisionet parlamentare. Aktualisht, së bashku me materialet shtesë, deputetëve u është dërguar edhe njoftimi për orën dhe kohën se kur do të mbahet seanca.Gjysmë ore para fillimit të saj, deputetëve do t’u drejtohet kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas informacioneve nga Kuvendi, kryeparlamentari Talat Xhaferi para fillimit të debatit do të mbajë takim me koordinatorët e grupeve parlamentare që të dakordojnë propozim konkluzat të cilat më vonë do të votoheshin në Kuvend. Nëse nuk gjendet gjuhë e përbashkët mes koordinatorëve të grupeve parlamentare, atëherë socialdemokratët do të ofrojnë propozimet e tyre marrë parasysh që e përbëjnë shumicën por edhe kanë përkrahjen e partive politike shqiptare. Propozim konkluzat do të shërbejnë për orientim të Qeverisë se si të sillet në raport me integrimin evropian dhe kontestin me Bullgarinë, por nuk ndërhyjnë në tekstin e propozimit francez. Informacioni për përmbajtjen e propozim--kornizës, i cili hyn në procedurë parlamentare, bëhet me shumicë të thjeshtë.
SANIJE DURAKU
