Maqedoni

Kovaçevski: Gjuha maqedonase do të mbrohet si një nga gjuhët zyrtare të BE-së

13.07.2022 17:04

Në një intervistë për MIA-n, kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se në propozimin e modifikuar francez...

Në një intervistë për MIA-n, kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se në propozimin e modifikuar francez, gjuha maqedonase është e mbrojtur si një nga gjuhët zyrtare të BE-së, e deklaratat e njëanshme ligjërisht dhe formalisht, nuk kanë asnjë ndikim në proces. Dhe këtu përfundon historia.

Kryeministri thekson se pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotë e BE-së, qytetarët e saj do të mund t'u drejtohen institucioneve në gjuhën maqedonase, e institucionet do të jenë të obliguara t'u përgjigjen edhe në gjuhën maqedonase.  Kovaçevski shtoi se procesi praktikisht do të fillojë menjëherë, me fillimin e negociatave të gjitha dokumentet e Bashkimit Evropian do të fillojnë të përkthehen në gjuhën maqedonase. Lidhur me mbrojtjen nga kushtet e përsëritura gjatë negociatave dhe nëse ka garanci, Kovaçevski u përgjigj se ajo që ai e konsideron më të rëndësishme është të përfitojmë maksimumin nga procesi dhe të evropianizojmë shoqërinë tonë,  në kohën më të shkurtër të mundshme.

“Mendoj se presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, i ka dhënë një përgjigje shumë të qartë pyetjes suaj. Pasi të fillojmë negociatat, komentet mbi zhvillimin dhe ecurinë e procesit të negociatave do të bazohen në një sistem meritash. Mundësia që një shtet anëtar të ketë vërejtje që nuk lidhen drejtpërdrejt me punën tonë sigurisht që ekziston, por garantuesi ynë që kërkesa të tilla nuk do të prishin procesin e negociatave është vetë Bashkimi Europian. Nëse Bullgaria insiston në futjen e çështjeve që nuk lidhen me përparimin, rreziku i reputacionit që sjell një sjellje e tillë, bart  pasoja krejtësisht të ndryshme brenda BE-së.”,- thotë Kovaçevski në intervistën për MIA-n.