Një i vdekur, 84 të plagosur në Sri Lankë, kryeministri thirrje ushtrisë të rivendosë rendin
Një person ka vdekur dhe 84 të tjerë janë plagosur....

Është shënuar viktima e parë e protestave në Sri Lanka teksa një 26 vjeçar u asfiksua nga gazi lotsjellës që policia hodhi ndaj protestuesve në Colombo. Janë 84 të lënduarit.
Nga kjo e enjte në mbarë vendin vlen një shtetrrethim nga mesdita deri në orën 5 të mëngjesit të nesërm. Pasi protestuesit sulmuan zyrën e tij të mërkurën, kryeministri Ranil Uickremesinghe i dha urdhër ushtrisë të bëjë “çfarëdo që është e nevojshme për të rivendosur rendin”.
Ai është emëruar si president në detyrë nga ish presidenti i arratisur Gotabaya Rajapaksa. Por vendimi për ta lënë atë në krye të shtetit, shkaktoi protesta të mëtejshme, me kërkesën që edhe kryeministri të largohej.
Sri Lanka po vuan nga kriza e saj më e keqe ekonomike në dekada. Vendi është në gjendje të jashtëzakonshme që të mërkurën, e presidenti u largua drejt Maldiveve për t’i shpëtuar zemërimit të mijëra njerëzve që dolën në rrugë duke sulmuar edhe pallatin presidencial e ndërtesa të tjera qeveritare.
