Zjarret shqetësim për Europën, flakë në Greqi, Kroaci, Turqi, Spanjë e Portugali

14.07.2022 12:57

Sezoni i verës ka rikthyer vatrat e zjarreve....

Sezoni i verës ka rikthyer vatrat e zjarreve në disa vende të Ballkanit, përfshirë Greqinë dhe Kroacinë.

Një vatër e madhe vijon ende aktive në një qytezë turistike të Kroacisë, mes Splitit dhe Zadarit. Flakët kanë rrethuar disa fshatra duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Mediat e përshkruajnë situatën po aq dramatike sa ajo e vitit 1986.

Po aq dramatike mbetet situata edhe në Lisbonë të Portugalisë, ku mijëra efektivë policie po luftojnë prej ditësh me flakët, me zjarrin që ka përfshirë edhe resortet luksoze turistike, teksa temperaturat në disa zona  pritet të rriten deri në 46 gradë Celsius.

Zjarre edhe në Spanjën perëndimore, që kërcënojnë  fshatrat mes të nxehtit që pritet të shkaktojë vatra të reja. Në Extremadura, zjarrfikësit evakuuan disa qindra banorë gjatë natës.

Ende aktiv edhe  zjarri që nisi një ditë më parë në Datça të Muglas në Turqi, teksa 7 avionë zjarrfikës, 14 helikopterë, 103 kamionë zjarrfikës, 11 pajisje ndërtimi dhe 415 persona janë dërguar për ta vënë nën kontroll.

Autostrada midis Datçës dhe Marmarisit u mbyll, pasi flakët u zhvendosën drejt bregdetit.