Organizatorët e sulmit të 27 prillit, sëmuret avokati, shtyhet seanca në Gjykatës e Apelit

14.07.2022 15:00

Ka dështuar edhe një tentativë e palëve....

Ka dështuar edhe një tentativë e palëve për të paraqitur ankesat në Gjykatën e Apelit lidhur me gjykimin e organizatorëve të incidenteve të Kuvendit të 27 prillit. Seanca publike u shty për shkak të problemeve shëndetësore të njërit prej avokatëve të përfshirë në proces. Një seancë e re është caktuar për 20 tetor.

“Ankohemi në bazë të katër elementeve, parregullsi në procedurë, zbatim i gabuar i Kodit Penal, gjendja faktike e vërtetuar në mënyrë jo të plotë dhe për shkak të vendimit për dënim. Pra, ne vlerësojmë se në të gjitha këto gjejmë parregullsi të cilat besoj se do të vendosen në seancën e re dhe do të shqyrtohen të gjitha ankesat nga ana e Gjykatës së Apelit.”,- tha avokati i palës mbrojtëse, Aleksandar Novakovski.

Si organizatorë të sulmit ndaj Kuvendit akuzohen ish-funksionarët e VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, Mile Janakieski dhe Spiro Risteski, si dhe ish-drejtori i UBK-së, Vladimir Atanasovski.

Ata akuzohen se në ditën kritike organizuan hyrjen e papenguar të protestuesve në Kuvend dhe mobilizuan anëtarësinë e partisë, të cilët hynë dhunshëm në organin legjislativ.

Gjykata e shkallës së parë i dënoi ata me një dënim total prej 25 vitesh burg. (Ersan Pajaziti, TVM2)