Von Der Leyen: Vendimi u takon ju, shfrytëzoni momentin historik!

14.07.2022 15:18

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen...

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, drejtpërdrejt ftoi Maqedoninë e Veriut të miratojë propozimin francez dhe me këtë të fillojë bisedimet me BE-së.

Në fjalimin e saj para deputetëve, shefja e ekzekutivit doli me garanci se dokumenti francez ruan identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Shfrytëzojeni këtë moment që me vete bart ardhmërinë tuaj, tha shefja e ekzekutivit evropian, duke mos harruar të potencojë se, sidoqoftë, vendimi i takon vetë Maqedonisë së Veriut dhe askujt tjetër.

Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë në tërësi. Për këtë në propozimin e modifikuar qëndron gjuha maqedonase, pa standarde (pa kualifikime )të BE-së. Propozimi respekton gjithashtu edhe identitetin nacional. Principi i vet identifikimit është i rëndësishëm për të gjithë. Mund të llogaritni në mua si kryesuese e KE-së se procesi aderues respekton fuqishëm principet dhe standardet evropiane.”,- tha kryetarja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.

Fjalia “gjuha maqedonase është e juaja”, çoi në këmbë maxhorancën e cila duartrokiti fjalimin e saj, nga opozita maqedonase dëgjohej duke thirrur “tradhtarë”.

Problemet me Bullgarinë, Von Der Leyen: Dallimet, jashtë kornizës negociuese

Shefja e Komisionit Evropian sqaroi publikisht edhe dilemat që u hapën në opinion për mbajtjen e dy konferencave ndërqeveritare. U ndal edhe tek problemet dypalëshe me Bullgarinë, për të cilat bindshëm tha se janë këto dallime, përcaktuar të zhvillohen jashtë kornizës negociuese për integrim.

“Ndryshimi i kushtetutës suaj për përparimin e të drejtave themelore do ta përforcojë përkushtimin tuaj mbi këto vlera. Pastaj,  kjo automatikisht do ta përfundojë fazën fillestare të bisedimeve. Kjo nënkupton konferencë tjetër ndërqeveritare, pa vendim tjetër. Fqinjësia e mirë është pjesë e ADN-së e integrimit evropian. Kjo është thelbësore në procesin  e zgjerimit. T'ju siguroj edhe njëherë. Çështjet bilaterale siç janë interpretimi i historisë, nuk është kusht në bisedimet aderuese. Dikush thotë se do të ishte më mirë të pritet marrëveshje më e mirë nga ajo që propozoi Franca. Gjithsesi është e drejta juaj ta bëni këtë. Por mendoni, sa jemi përpjekur gjatë 4 kryesimeve me BE.”,- tha Von Der Leyen.

Gjatë fjalimit të saj në kuvend, Von der Lejen pati kontestime nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët hodhën pankartë me mbishkrimin "JO" në drejtim të saj, veprim të cilin kryetarja e Komisionit Evropian e quajti sjellje që e lejon demokracia. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)