Byrnes: Çështjet bilaterale, jashtë kornizës negociuese

14.07.2022 16:52

Vazhdojnë ndërkohë apelet e ndërkombëtarëve....

Vazhdojnë ndërkohë apelet e ndërkombëtarëve pro propozimit francez. Ambasadorja amerikane, Kate Marie Byrnes, thotë se anëtarësimi është një bisedë që duhet të bëhet mes Maqedonisë së Veriut dhe Unionit, por SHBA-të gjithmonë e kanë mbështetur anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Në një intervistë për MIA-n, Byrnes vlerëson se  propozimi francez është  një kompromis që do të hapë rrugën për hapat e ardhshëm.

E pyetur nëse SHBA-të janë të njohura me përmbajtjen e protokollit dhe nëse është diçka për të cilën duhet të shqetësohen qytetarët e Maqedonisë, ambasadorja u përgjigj se SHBA-të e shohin procesin veçmas dhe gjithmonë ka theksuar se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen jashtë kornizës së negociatave.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, vlerësimi ynë është se propozimi mbron interesin e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit. Ky është mendimi ynë dhe i ekspertëve tanë. Protokolli dypalësh për të cilin po flisni duket se është shkrirë disi në këto dy procese. Duhet të ketë një marrëveshje dypalëshe mes Shkupit dhe Sofjes”, potencoi  ndër të tjera ambasadorja amerikane  Byrnes në intervistën për MIA-n.