Strugë, rritje e dukshme e turistëve këtë sezon veror
Këtë sezon veror në Strugë...

Këtë sezon veror në Strugë vërehet një rritje e dukshme e numrit të turistëve. Reduktimi i masave dhe kufizimeve mbushi ambientet akomoduese në qytetin e urave.
Sipas shoqatës së hotelerisë, pothuajse të gjithë hotelet dhe akomodimet private në bregdetin e Strugës janë të mbushura.
Një atraktivitet tjetër është edhe Kampi i skautëve të qytetit që gjithashtu është i mbushur me turistë, më atraktive dhe të kërkuara janë shtëpitë në pemë.
Punonjësit e turizmit presin rimëkëmbjen dhe kthimin e turizmit në shtigjet e vjetra.
“Të ftuarit që vijnë tek ne janë kryesisht nga vendet fqinje, por shpesh na vizitojnë turistë nga Polonia, Çekia, Gjermania dhe Holanda. Deri vitin e kaluar vizitat e ukrainasve ishin të shpeshta, por për fat të keq, duke pasur parasysh situatën sivjet, nuk besoj se numri i tyre do të jetë i njëjtë.”,- tha Nikolla Kukunesh nga “Scout Camp” – Struga.
Qyteti i urave dhe poezisë këtë vit e ka pasuruar ofertën turistike edhe më shumë. Mysafirëve u ofrohet turizëm aktiv, zhytje, kanotazh, shëtitje me vela, alpinizëm dhe çiklizëm.
“Ofertat tona përfshijnë kajakët, d.m.th. kajak përgjatë bashkimit të lumit Drini i Zi dhe Liqenit të Ohrit, lundrim, shëtitje me motor, zhytje, çiklizëm, shëtitje me vela. Fjalë për fjalë gjithçka që mund t'u ofrojmë turistëve që kërkojnë një pushim aktiv.”,- theksoi Kukunesh.
Trendi më i ri kohën e fundit është turizmi i quajtur glamping, që do të thotë një kombinim i glamurit dhe kampingut. Përveç shtëpive prej druri, kampi i qytetit ofron tenda moderne dhe hapësirë për rimorkio për turistët e huaj. (Ilmie Zhaku, TVM2)
