Varhelyi: Shqipëria, gati për të nisur negociatat

14.07.2022 20:05

Komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi....

Komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi, që qëndroi pasdite në Vlorë, tha se “Shqipëria është gati për të nisur negociatat”.

Në një një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptarë, Edi Rama, komisioneri i lartë i BE-së, tha se nuk ka pikëpyetje që Shqipëria ka bërë çdo gjë që ishte e nevojshme.

“Unë jam shpresëplotë që java e ardhshme do të jetë ajo që kemi kaq kohë që presim”, deklaroi Varhelyi.

Kryeministri shqiptarë, Edi Rama paralajmëroi se nëse nuk ka rezultat pozitiv nga debati në RMV, atëherë do të kërkohet ndarje nga Maqedonia e Veriut.

“Nuk dua të zgjatem, pasi mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do vazhdojë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Shpresoj që rezultati të jetë pozitiv, nëse do të jetë, patjetër Konferenca do të thirret shpejt. Nëse s’do të jetë pozitiv, menjëherë që të nesërmen do të vazhdojmë të kërkojmë ndarjen e Shqipërisë nga dosja bullgaro-maqedonase.

Patjetër ne jemi të bindur që Shqipëria duhet t’i çelë negociatat këtë vit pa diskutim! Tani të presim fundin e këtij debati maratonë që parashikohet të zhvillohet në parlamentin e RMV-së.

Uroj që të ndodh që parlamenti i Maqedonisë së Veriut t’i hapë rrugë propozimit të Francës dhe të dy vendet të hyjnë në negociata. Por kjo siç e tha edhe Komisioneri, nuk është diçka që e vendosim ne, por parlamenti sovran i Maqedonisë së Veriut.”, tha Rama.