ASH - Strugë: Pamundësohen paralelet në shqip në Podgorcë
Aleanca për Shqiptarët – Dega në Strugë....

Aleanca për Shqiptarët – Dega në Strugë, akuzon komunën se po zvarrit procedurën e hapjes së Paraleleve në gjuhën shqipe në shkollën “Goce Delçev“ në fshatin Podgorcë .
“Statuti i shkollës në fjalë ka mbetur i pandryshuar meqë nuk është aprovuar nga Këshilli i shkollës. Ndryshimi i këtij statuti do të mundësonte hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Drejtoresha në pozitën e U.D. drejtor në shkollën e Podgorcës, e zgjedhur mbi 6 herë në kundërshtim me Ligjin për Arsim Fillor, asnjëherë nuk ka dhënë mendim pozitiv dhe përmbajtje në funksion të kësaj ideje, kurse Kryetari Merko vazhdon ta mbajë në pozitë të njëjtë duke shkelur të gjitha normat ligjore” – tha Lulzim Nasufi nga ASH - Strugë.
Paralelja në shqip në Podgorcë, Komuna e Strugës: Do të funksionojë nga shtatori
Nga komuna e Strugës i cilësojnë të pavërteta akuzat. Nga atje thonë se kanë leje nga MASH për hapjen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe në këtë shkollë nga shtatori i këtij viti, e fajin për mos hapjen e deritanishme të saj, ia hedhin pikërisht Aleancës për Shqiptarët. (Ilmije Zhaku, TVM2)
