Propozimi francez, Kuvendi arenë përplasjesh midis deputetëve

15.07.2022 15:48

Kuvendi, për ditën e dytë arenë e përplasjeve verbale....

Kuvendi, për ditën e dytë arenë e përplasjeve verbale, ofendimeve dhe kualifikimeve për tradhëti kombëtare. Protokoli francez u gris nga deputetët e VMRO – DPMNE – së në foltore, ndërkohë që deputetët e LSDM-së në fjalimet e tyre u shoqëruan me zhurmën e fishkëllimave dhe borive.

Deputetët e VMRO-së kontestuan dokumentin francez dhe e cilësuan si antikombëtarë me të cilin shitet shteti dhe dëmtohen gjenerata të tëra.

“Të gjithë librat tonë do të shkojnë për revizion në Bullgari dhe vetëm atëherë kur ata do të japin pëlqimin, fëmijët tuaj do të mund të mësojnë dhe çfar të mësojnë o popull maqedonas?, se Goce Dellçevi dhe Kërste Petkov Misirkov janë bullgar, se Bullgaria nuk ka qenë okupatore por administrator në Maqedoni.” – tha Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE.

Nuk munguan as përplasjet me kryeparlamentarin Talat Xhaferi. Fillimisht pasi deputetja Peshevska iu drejtua në mënyrë nënçmuese ministrit të jashtëm Bujar Osmani, dhe pastaj pas pauzës me pretendimet e deputetit Axhiovski drejtuar deputetëve jomaqedonas.

“Ti ministër i punëve të jashtme, ti Bujar çfar bëre për vendin që të ofroi gjithçka, fëmijëri, arsim?” – u shpreh Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska, ndaj së cilës reagoi Kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

“Ti  ke formën tënde të pyetjes, nuk të ndërpres, por fillimisht ai ka emër dhe mbiemër, duhet të jemi korrekt. Ministri për punë të jashtme është Bujar Osmani dhe jo ti Bujar.” – iu kundërpërgjigjë Xhaferi.

“Nuk jeni të denjë të thireni në popullin maqedonas. Ju lirisht mund të thireni në të gjithë popujt për rreth, të cilëve po ua shitni këtë Maqedoni, po assesi nuk mund të thirreni në popullin maqedonas, pasiqë popullin maqedonas dëshironi që ti shndërroni mysafir në shtetin e tyre.” – tha Mirçe Axhiovski nga rradhët e VMRO-DPMNE-së.

“Ju vazhdoni të ofendoni në baza nacionale, nuk ka problem, nuk ka problem vazhdoni të ofendoni ashtu siç keni filluar të ofendoni dhe ne një e treta e deputetëve jo maqedonas do të vazhdojmë t’iu mbështesim me atë çka është përpjekje e mbrojtjes së përcaktimit identitar.” – iu kundërpërgjigjë Axhiovskit, numri një i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Deputetët e LSDM-së gjykuan sjelljen e opozitës duke i akuzuar si dorë e zgjatur e shërbimeve të huaja.

“Këta njerëz që flasin kështu janë për mjekim në Demir Hisar. O popull maqedonas, këta fëshkëllejnë pasiqë nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën dhe po gënjejnë popullin, duan të shesin shtetin dhe për këtë VMRO-DPMNE dhe ‘E Majta’ janë paguar nga shërbime të huaja.” – theksoi Deputeti i LSDM-së, Nenad Kociç.

Debati u zhvillua me disa ndërprerje me kërkesë të opozitës. Nga “E Majta” kërkuan që tu dorëzohen propozim konkluzat e shumicës, të cilat në fund të debatit duhet votuar. Konkluzat u bënë publike ditë më parë ndërkaq obligojnë qeverinë që të zhvillojë proces të pastër negociues pa dëmtuar gjuhën dhe identitetin maqedonas. (Meral Ismaili, TVM2)