Bombardime ruse në shumë qytete të Ukrainës, 23 të vdekur dhe 67 të plagosur në Vinnytsia

15.07.2022 18:37

Të paktën 23 persona u vranë....

Të paktën 23 persona  u vranë, duke përfshirë tre fëmijë, dhe rreth 67 të tjerë u plagosën pasi raketat ruse goditën ndërtesat civile dhe një qendër kulturore në qytetin Vinnytsia, në Ukrainën qendrore.

Sulmi në Vinnytsia, larg vijës së frontit të luftës, ndodhi  kur rrugët ishin plot me civilë. Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës thotë se është ende në kërkim të 39 personave të zhdukur, ndërsa 34 janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e quajti sulmin rus në Vinnytsia “një akt të hapur terrorizmi” dhe kërkoi nga zyrtarët Evropian të hapin një “gjykatë speciale” për të hetuar pushtimin rus.

“Pas kësaj, askush nuk mund të ketë asnjë dyshim se një Gjykatë Speciale për agresionin rus kundër Ukrainës është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur. Terrori është një virus. Dhe nëse një nga terroristët mbetet i pandëshkuar, ai vetëm inkurajon të tjerët. Ka ardhur koha që bota demokratike të përfshijë të gjitha instrumentet e duhura ligjore duke e shpallur  Rusinë  si shtet terrorist” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.

45 vende, duke përfshirë shtetet e Bashkimit Europian, si dhe Britaninë, SHBA-në, Kanadanë, Meksikën dhe Australinë nënshkruan në Hagë një deklaratë politike për bashkëpunim në hetimet e krimeve të kryera nga Rusia gjatë luftës në Ukrainë.  Gjithashtu grupi i 20 ekonomive kryesore në botë u takuan në Bali.

Indonezia nikoqire thotë se është një takim vendimtar për të zbutur pasojat katastrofike humanitare nga lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës.

“Bota kishte shpresa të mëdha se grupi do të ishte në gjendje të gjente një zgjidhje për kërcënimin e trefishtë të luftës, rritjen e çmimeve të mallrave dhe efektet e tyre në aftësinë e vendeve me të ardhura të ulëta për të shlyer borxhin. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se kostoja e dështimit tonë për të punuar së bashku është më shumë sesa mund të përballojmë” – deklaroi Ministrja indoneziane e financave, Sri Mulyani Indrawati.

Pavarsisht takimit të liderëve botërorë në Hagë dhe në Bali të Indonezisë, Rusia duket se nuk e ka në planë të ndalojë invazionin e saj në Ukrainë.

Rusët nuk kanë kursyer me raketa as institucionet e arsimit në Mykolaiv.

“Terroristët rusë sulmuan dy universitetet më të mëdha në Mykolayiv. Të paktën dhjetë raketa. Tani ata sulmojnë arsimin tonë. Unë po u kërkoj universiteteve të të gjitha vendeve demokratike të pretendojnë Rusinë se çfarë është në të vërtetë, shtet terrorist.” – u shpreh Guvernatori i Mykolaiv, Vitaiy Kim.

Shërbimi Shtetëror i Ukrainës për Situatat e Emergjencave raportoi se edhe rajoni i Harkivit dhe qendra rajonale u goditën me raketa gjatë ditës. Lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e pestë dhe pas vetës ka lënë mijëra viktima. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)