Maqedoni
Kalimi i propozimit francez në Kuvend, Neziri: Pengesa e parë, pastaj kushtetuta e reformat
16.07.2022 13:30
Analisti Xhelal Neziri, thotë se kalimi në Kuvend i propozimit francez...

Analisti Xhelal Neziri, thotë se kalimi në Kuvend i propozimit francez, është vetëm kalimi i pengesës së parë, por jo edhe zgjidhje e ngërçit. Në intervistën e javës në TVM2, ai tha se mospranimi i këtij propozimi nga opozita, vërtetë nuk do ishte efekt për hapjen e negociatave, por do të shkaktojë probleme për kapitujt e mëvonshëm sepse pa opozitën nuk do të mund të plotësohet kushti kryesor i propozimit francez për ndryshimin kushtetues që përfshin bullgarët etnikë. Neziri nuk i sheh të pamundura edhe pazaret politike.
“Mendoj se do të jetë një proces i cili do të zgjas, mirëpo ndryshimi i Kushtetutës do të jetë parakusht nëse vendi dëshiron të vazhdojë më tutje… Do të ketë hapësirë edhe për pazare të stilit të marrëveshjes së Prespës ku vetëm disa deputetë u pajtuan që të votojë, në ndërkohë që pjesa tjetër refuzoi. Mund të ketë edhe një referendum i cili mbase do të përkrahet nga të gjitha partitë politike që VMRO-ja të thotë mirë, ne nuk dëshirojmë të jemi pjesë, ne mendojmë se ky propozim është i keq, nuk dëshirojmë të jemi pjesë e stagnimit të vendit, por le të vendosin njerëzit në referendum dhe ne referendum të jetë aktive si parti politike që i njëjti të ketë sukses. Ju e dini se nëse në referendum vendoset pranohet që të ndryshohet Kushtetuta, atëherë deputetët vetëm formalisht votojnë, pra i ikin përgjegjësisë për ndryshimet Kushtetuese.”, tha Xhelal Neziri, analist politik.
Puna nuk mbaron me Kushtetutën. Më pas vendi duhet të përqëndrohet në reforma
“Bullgaria ka ka të drejtë që nëse RMV ecën përpara me reformat në drejtësi, ekologji, arsim e kështu me rradhë, por ngec në zbatimin e marrëveshjes fqinjësore, pra nuk arrin që t’i definojë ato pjesë të historisë dhe të figurave historike bashkërisht siç shkruhet në marrëveshje, atëherë Bullgari ka të drejtë të bllokojë procesin, sërish të kthejë veton, mirëpo çfarë do të ndodh, nëse procesi i zbatimit të marrëveshjes me Bullgarin ecën, ndërkohë reformat ngecin? Sërish ndonjë shtet, anëtar i BE-së do të mund të vendos veto. Pra është një proces ku vendimet finale për mbylljen e kapitujve, kllasterve merren nga ana e Këshillit të BE-së.”, tha Neziri.
Sigurisht që nisja e negociatave, nuk është garanci edhe për përfundimin e tyre Serbia dhe Mali Zi kanë filluar negociatat që nga 2012, por dhjetë vite më pas, kanë mbyllur dy ose tre kapituj, përkujton Neziri
REXHEP QAMILI
