Maqedoni

Nënshkruhet protokolli RMV- Bullgari, Osmani: Historike, hap rrugën tonë drejt BE-së

17.07.2022 14:25

Ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe homologia e tij bullgare Teodora Gençovska pas mbledhjes së komisionit të përbashkët ndërqeveritar...

Ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe homologia e tij bullgare Teodora Gençovska pas mbledhjes së komisionit të përbashkët ndërqeveritar nënshruajtën protokollin dypalësh. Sipas dy diplomatëve, vlerësohet se firmosja e dokumentit i hap rrugën fillimit të bisedimeve të vendit me BE-në si dhe implementimit të mëtutjeshëm të Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë mes Shkupit dhe Sofjes. Historike e quajti ministri Osmani këtë ngjarje, pas pritjes së gjatë të shtetit me statusin e vendit kandidat.
 
“Për ne është mundësi historike që pas 17 viteve  të statusit kandidat, Maqedonia e Veriut fiton mundësi t'i fillojë  bisedimet që të martën, me çka  fillon faza e fundit paraqasëse me BE-në. Shpresojmë se procesi dypalësh me Bullgarinë dhe bisedimet aderuese do të mundësojnë bashkëpunim më të ngushtë  mes dy shteteve tona. Presim nga Bullgaria përkrahje në këtë rrugëtim, ku kemi filluar, fillimin e bsiedimeve në BE, e gjithë kjo në interes të qytetarëve.”, ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani.
 
Gençovska: Të impelementohet gjithçka e nënshkruar në letër
 
Ministrja bullgare Gençovska pret që të impelementohet gjithçka që është nënshkruar në letër mes palëve. Potencon mbështjetjen e fuqishme të Sofjes zyrtare për Shkupin dhe Tiranën në aspiratat eurointegruese.
 
“Ajo çka duhet të bëhet është që  për çfarë është arritur marrëveshje të bëhet praktikë me qasje serioze nga të dyja shtetet. Më me rëndësi ishte nënshkrimi i protokollit të dytë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ekspertët nga të dyja ministritë do të vazhdojnë të punojnë bashkërisht në nivel të grupeve të punës.Bullgaria është shteti që më shumti e përkrah eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Shpresoj se me forcat tuaja dhe përkrahjen tonë do të arrini aty ku duan qytetarët e RMV-së, anëtarsim në BE.”, tha ministrja e jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska.
 
Përveç ministrit Osmani, pjesë e delegacionit shtetëror ishin edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, ministrja e Kulturës, ministri i Ekonomisë si dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve. 
 
Nënshkrimi i protokollit vjen një ditë pasi Kuvendi miratoi propozimin francez, që i hap rrugë integrimit të Shkupit në BE. Pas miratimit, zyrtarët e BE-së paralajmëruar se negociatat për anëtarësim në bllok për Shkupin dhe Tiranën do të hapen javën e ardhshme. Për gati dy vjet, Bullgaria mbajti në fuqi veton për nisjen e negociatave mes bllokut dhe Shkupit, për shkak të mospajtimeve sa i përket historisë dhe gjuhës maqedonase.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU