Botë

Kosovë, sulmohet policia në veri, 5 efektivë të lënduar

17.07.2022 15:17

Një tjetër incident është regjistruar me policinë e Kosovës në veri të vendit...

Një tjetër incident është regjistruar me policinë e Kosovës në veri të vendit.
 
Ngjarja ka ndodhur teksa efektivët e policisë i bënë thirrje një kamioni të ndalonte në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, pasi dyshohej se transportonte mallra kontrabandë. Menjëherë në drejtim të kamionit kanë shkuar disa automjete të civilëve të zonës që tentuan të pengonin policinë të kryente detyrën e saj. Më pas drejtuesi i kamionit, shtoi shpejtësinë dhe çau postbllokun e sajuar me makina policie, duke lënduar 5 efektivë. Policët kanë marrë trajtim mjekësor. 
 
Policia e Kosovës ka bërë bllokimin e pjesshëm të rrugës e më pas kanë vazhduar të ndjekë kamionin, i cili vazhdoi të udhëtonte me shpejtësi të lartë në magjistralen Mitrovicë-Jarinjë. Në ndjekje e sipër për ta ndaluar, shoferi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke lënduar policët. Policia arriti që ta ndalë kamionin në fshatin Llazhinë dhe ka arrestuar shoferin.