Maqedoni
Zgjedhjet lokale në Qendër Zhupë, kryetari aktual Arijan Ibraim, kandidati i vetëm
17.07.2022 16:03
Më 20 gusht, komuna Qendër Zhupë, do të bëjë edhe një përpjekje për të zgjedhur kreun e saj...

Më 20 gusht, komuna Qendër Zhupë, do të bëjë edhe një përpjekje për të zgjedhur kreun e saj, pasi përpjekja e parë në zgjedhjet e rregullta lokale të 17 tetorit 2021, dështoi për shkak të mos arritjes që të sigurohet pjesëmarrja e kërkuar prej 33% të votuesve të regjistruar, e më pas dështoi edhe përpjekja e dytë më 17 prill të këtij viti, po për të njejtën arsye. Kryetari aktual Arijan Ibrahim, është edhe zyrtarisht kandidati i vetëm. Kundër kandidati paraprak i tij, Shain Shaqir nga partia Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve, nuk ka preferuar të rikandidohet në këtë ripërsëritje të tretë të votimit.
“Komisioni Komunal i Zgjedhjeve ka pranuar vetëm një kandidaturë, e cila është konfirmuar. Ajo është kandidatura e Arijan Ibrahimit nga Partia Demokratike Turke. Si në dy ciklet e mëparshme zgjedhore, nuk kemi pasur listë të pavarur të kandidatëve.”, konfirmojnë nga KKZ- Qendër Zhupë.
Edhe në Mavrovë –Rostushë më 20 gusht do të ketë proces votimi për zgjedhjen e kreut të komunës. Po në të njëjtën datë është caktuar edhe votimi për zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit të Komunës së Tetovës, që u shpërbë pasi nuk u arrit miratimi i llogarisë përfundimtare komunale sipas dispozitave të nenit 75 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale. 13 parti dhe lista të pavarura kanë dorëzuar kandidaturat në KKZ deri në përfundimin zyrtar të afatit të premten. Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme lokale, nis më 31 korrik në mesnatë dhe do të zgjasë deri në mesnatën e 18 gushtit.
REXHEP QAMILI
