Maqedoni
Kurti: Nuk kemi më kapacitete të paguajmë energjinë elektrike për veriun
17.07.2022 19:56
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i Udhërrëfyesit për energjinë...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i Udhërrëfyesit për energjinë, ku i obligon qytetarët e katër komunave në veri të banuara kryesisht me banorë serbe të paguajnë faturat e energjisë elektrike të shpenzuar, është preokupimi kryesor i Qeverisë. Në një konferencë për media të dielën, Kurti ka thënë se buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë më tutje pagesën e faturave të komunitetit serb.
Kosova dhe Serbia kanë arritur më 22 qershor pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes ekzistuese për energjinë. Sipas Marrëveshjes, parashikohet që Zyra e Rregullatorit për Energjinë e Kosovës (ZRRE) t'i lëshojë licencë për furnizim kompanisë së krijuar për veri “Elektrosever”, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
I pari i ekzekutivit kosovar u zotua se do të bëhet çmos që të paktën një anëtar në çdo familje të jetë i punësuar. Ai ka folur edhe për skemën e punësimit, që, sipas tij, Qeveria po punon për ta zbatuar.Vendosja e çmimit tavan për naftën është vlerësuar si e suksesshme nga kryeministri Kurti. Ai ka thënë se njëjtë do të veprohet edhe me çmimet e produkteve esenciale, pa shkelur ligjin dhe Kushtetutën.
Në konferencën e thirrur për të njoftuar për procesin e brendshëm zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti nuk tregoi nëse do të kandidojë për pozitën e kryetarit. Ai ka thënë se për këtë çështje do të deklarohet më 15 gusht. Më 25 shtator është dita kur anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje do të zgjedhin strukturat e reja udhëheqëse. Nga 15 gushti deri më 23 gusht, anëtarët e LVV-së do të paraqesin kandidaturat e tyre. Më 1 shtator do të fillojë fushata zgjedhore.
