Botë

Kryeministri i Serbisë sot viziton Kosovën

14.01.2015 12:27

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet që gjatë ditës së sotme ta vizitojë Kosovën...

Sipas Beogradit, Vuçiq dhe delegacioni i tij do t’i vizitojnë lokacionet e banuara me serbë me rastin e Vitit të Ri ortodoks.
 
Asnjë takim me udhëheqësit e Kosovës nuk është planifikuar.
 
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Prishtina e ka aprovuar vizitën e tij, të cilën ai e ka quajtur të natyrës “humanitare dhe fetare”.
 
Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë pritet ta vizitojë fshatin Pasjan të Gjilanit, Shtërpçen, si dhe Graçanicën.
 
Vizitën e delegacionit të Serbisë në Kosovë po e sigurojnë njësitë e Policisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe njësitë speciale, në bazë të një plani të paraparë për sigurimin e vizitave të delegacioneve të huaja në Kosovë.
 
Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për Radion “Evropa e Lirë” se është angazhuar një numër i mjaftueshëm për të siguruar vizitën e sotme.