Vazhdojnë bombardimet ruse, vritën gjashtë civil në Toreck
Gjashtë persona u vranë....

Gjashtë persona u vranë pasi Rusia bombardoi një ndërtesë në qytetin Toreck, në lindje të Ukrainës,njoftoi shërbimi ukrainas i emergjencave. Të gjitha viktimat e këtij sulmi janë civil, në mesin e tyre ka edhe fëmijë.
“Mëngjesin e sotëm, qyteti Toreck është granatuar. Një ndërtesë dykatëshe, me njerëz brenda, u shkatërrua. Ekipet e shpëtimit gjetën dhe nxorën trupat e pesë njerëzve të vdekur. Tre persona u shpëtuan nga rrënojat dhe një prej tyre vdiq në spital” – tha shef i Policisë rajonale, Ruslan Osipenko.
Ekipet e shpëtimit thanë se kanë përfunduar kërkimet për të mbijetuar të tjerë.
Toreck, një qytet me popullsi prej 30.000 banorësh, gjendet rreth 50 kilometra në jug të Kramatorskut, një prej qyteteve të fundit që kontrollohet nga Ukraina në lindje të vendit.
Pas këtij sulmi, Ukraina i kërkon BE-së që të dërgojë armë shtesë dhe të vendosë sanksione tjera ndaj Rusisë.
“Armët për Ukrainën, sanksionet ndaj Rusisë dhe përgjegjësia për Rusinë janë tre mënyrat për të rivendosur paqen, për të rritur sigurinë dhe për të mbrojtur stabilitetin në Evropë, kërkojmë ndihmë shtesë dypalëshe ushtarake. Gjithashtu i inkurajoj shtetet e BE-së të mbështesin Gjykatën Speciale për Krimin e Agresionit kundër Ukrainës” – tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitry Kuleba.
Pas kërkesave të Kuebas, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell tha se sanksionet e BE-së ndaj Rusisë do të shtohen.
“Disa nga liderët kanë thënë se sanksionet ishin një gabim, një gabim. Epo, unë nuk mendoj se ishte një gabim. Kjo është ajo që ne duhej të bënim dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë.Ata vazhdojnë të kryejnë një luftë shkatërrimi, duke bombarduar pa dallim, çdo lloj infrastrukture civile, duke vrarë njerëz të pafajshëm. Kjo është diçka... është një tragjedi” – u shpreh Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell.
Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë arritur një marrëveshje politike duke miratuar një tjetër paketë prej 500 milionë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, që e çon totalin në 2.5 miliardë euro.Ushtria ukrainase tha se Rusia po përgatitet për fazën e re të ofensivës së saj në Ukrainë, pas urdhrave të Moskës për të rritur operacionet ushtarake.
Qëllimi kryesor i Rusisë është që të marrë kontrollin e Donjeckut dhe Luhanskut, dy provincat që përbëjnë rajonin e Donbasit. Por, Rusia aktualisht po kryen sulme edhe në Ukrainën qendrore, verilindore dhe jugore. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
