Botë

"Charlie Hebdo" pushton Parisin, reagime në Egjipt

14.01.2015 12:48

“Charlie Hebdo” publikoi numrin e parë pas masakrës së para një jave në zyrat e saj...

Në shumicën e kioskave të shitjes gazeta u ble që në dhjetë minutat e para. Disa kioska tregtare dhe stenda të shitjes së gazetave në Paris thuajse janë boshatisur që në orët e para të mëngjesit.
 
Madje tregtarë të ndryshëm kanë kufizuar sasinë e shitjeve në vetëm një revistë për person, kjo për shkak të radhëve të gjata. 
 
Njerëzit e kishin pritur daljen e të përjavshmes prej 6 orësh. 3 milionë kopje janë shpërndarë në të gjithë Francën, por edhe në shtete të tjera plot 50 fishi i tirazhit të përjavshëm të revistës në të kaluarën prej 60 mijë kopjesh. 
 
“Erdha këtu ta blej gazetën sepse atje ku e blej zakonisht ishte shitur dhe shitësit disa numra i kishin hequr anash për të afërmit e tyre. E di që edhe nesër do të publikohet përsëri ky numër, po desha ta blej që sot”- deklaroi banorja e Parisit, Angelique Himeur.
 
Kopertina e revistës është një ilustrim i profetit Muhamed të përlotur, i cili mban në duar një parullë “Unë jam Charlie”, të shoqëruar edhe me fjalët “Gjithçka është falur tashmë”.
 
Kopertina e re është pritur me emocione të përziera, edhe pse  myslimanët pranojnë  të drejtën e revistës për t’u shprehur lirisht, e  kanë kritikuar atë si provokuese pa arsye dhe tepër ofenduese.
 
“Është një luftë e vazhdueshme mes Islamit dhe Perëndimit dhe kjo nuk i shërben interesave të askujt. Nuk duhet të fyhet religjioni në asnjë mënyrë”- tha  banorja e Kajros, Mervat Hasan.
 
“Ata vlerësojnë se publikimi i disa milionë kopjeve është liri e shprehjes, dhe ne duhet t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë. Nuk ekziston asnjë foto e profetit tonë, askush nuk e di si është dukur ai. Pra, publikimi i karikaturave të profetit është ofendim për Islamin dhe myslimanët”- u shpreh baroni i Kajros, Isam Abdelrahman.
 
“Liria e shprehjes nuk të jep të drejtën të ofendosh profetin, aq më tepër kur e di që një gjë e tillë do të provokojë myslimanët. Nuk jam kundër lirisë së shprehjes, por askush nuk ka të drejtë të ofendojë dikë”- theksoi banori i Kajros, Ibrahim Rabie.
 
Portretizimet e profetit në numrat e kaluar të revistës kanë qenë edhe motivi i agresorëve të masakrës së javës së kaluar.
 
LEUNORA KALIQI