Maqedoni
Prokuroria Themelore, hap lëndë për trajtimin në spitalin “Zhan Mitrev”
18.07.2022 16:51
Hulumtimi i IRL me titull “Gjaku i papastër”, i cili zbulon të dhëna shqetësuese për trajtimin e pacientëve me Covid...

Hulumtimi i IRL me titull “Gjaku i papastër”, i cili zbulon të dhëna shqetësuese për trajtimin e pacientëve me Covid në Klinikën “Zhan Mitrev”, shkaktoi reagime të shumta në opinion. Sipas kërkimit të IRL-së, pacientët ishin detyruar t’i nënshtroheshin filtrimit të gjakut si terapi anti-kovid, e paguar nga 3 mijë deri në 5 mijë euro, duke pretenduar jetën e re.
Gazetarët gjatë hulumtimit kanë ardhë deri te informacioni se studimi i klinikës është i jashtëligjshëm dhe ka infektuar shumicën e pacientëve me baktere vdekjeprurëse. Dokumentari shtron pyetjen nëse metoda është miratuar nga institucionet përkatëse dhe nëse ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të pacientëve. Të gjitha këtyre pyetjeve epilog duhet tu jep Prokuroria Publike e cila pas emetimit të dokumentarit ka hapur lëndë ndaj Klinikës “Zhan Mitrev”.
“Menjëherë pas publikimit të emisionit dokumentar në fjalë, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur lëndë në bazë të denoncimit publik, të parashikuar me Ligjin për Procedurë Penale. Rasti i është caktuar prokurorit publik kompetent, i cili do të ndërmarrë veprime për verifikimin e fakteve që tregojnë indicie për vepër penale dhe krime kundër shëndetit të njerëzve.”, tha Prokuroria Themelore Publike.
Reagimi i spitalit “Zhan Mitrev”: Kualifikime të pa vërteta, qëllimi dëmtimi i imazhit
Kanë reaguar edhe nga klinika “Zhan Mitrev”. Sipas tyre bëhet fjalë për kualifikime të pavërteta që kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit të spitalit dhe janë shqetësuese edhe për pacientët. Siç thuhet në reagimin me shkrim, janë të tmerruar nga gjuha tendencioze e urrejtjes që përdoret ndaj tyre, si dhe nga akuzat e pasakta, pra informacionet e sajuara që kanë për qëllim vetëm krijimin e një imazhi të rremë në opinionin e gjerë për punën e spitalit.
SANIJE KASAMI
