Botë

PS ka dorëzuar në Kuvend projekt rezolutë, pretendimet e martit për krime nga UÇK

18.07.2022 18:26

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projekt rezolutën, përmes së cilës do t’i kërkojë Këshillit të Evropës...

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projekt rezolutën, përmes së cilës do t’i kërkojë Këshillit të Evropës të rishikojë qëndrimin për Raportin e Dick Marty, që pretendonte për krime kundër njerëzimit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
 
PS kujdeset të evidentojë se 11 vite pas hartimit të raportit të Dick Martyt, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij në raport, nuk është vërtetuar.
 
“I kërkojmë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.”
 
Kjo rezolutë u paralajmërua nga kryeministri Edi Rama më 22 Qershor, në takimin e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë në Prishtinë, kur akuzoi se raporti i Martyt është influencuar nga Rusia.
 
Raporti i vitit 2011 i Dick Mart, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova.