Botë
Vuçiq në Kosovë sërish me deklarata nacionaliste: Kosova, djepi i Serbisë
14.01.2015 14:12
Kryeministri i Serbisë vizitoi Kosovën sot me rastin e Vitit të Ri ortodoks...

Në agjendën e tij zyrtare ishte paraparë vizita në fshatin Pasjan të Komunës së Gjilanit, Shtërpcës dhe Graçanicës, por nuk ishte planifikuar asnjë takim me udhëheqësit e Kosovës.
Vuçiq, në deklaratën e tij nuk ka lënë anash deklaratat nacionaliste, më kryesorja prej të cilave ishte ripërsëritja se “Kosova është djep i Serbisë”.
“Kosova është djepi i Serbisë. Kosovën nuk do ta harrojmë kurrë. Ne si Qeveri e Serbisë do të angazhohemi vazhdimisht që të krijojmë sa më shumë vende pune këtu dhe sa më shumë mirëqenie për serbët dhe jam i sigurt se edhe shumë fëmijë do të lindin në Kosovë dhe Metohi dhe kurrë askush nuk do të mund ta ndalojë’’- deklaroi kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Një ditë para vizitës se kryeministrit serb në Kosovë disa billborde me foto dhe mbishkrime të Vuçiqit të vendosur nëpër rrugët kryesore të Mitrovicës janë dëmtuar.
Nuk dihen autorët e këtyre akteve, ndërsa billbordet ishin vendosur në nëntor të vitit të kaluar, kur ishte paralajmëruar vizita e tij në këtë qytet.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Prishtina e ka aprovuar vizitën e tij, të cilën ai e ka quajtur të natyrës “humanitare dhe fetare”.
Po ashtu, Policia e Kosovës kishte angazhuar një numër të mjaftueshëm për të siguruar vizitën e kryeministrit serb në Kosovë.
GYLTENE SINANI
