Konferenca e parë ndërqeveritare RMV-BE, Kovaçevski: Pritëm 17 vjet, më në fund pjesë e BE-së

19.07.2022 11:02

Sot në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian....

Sot në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Para fillimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh i kënaqur që pas 17 vitesh pritje, vendi përfundimisht po i fillon negociatat. Kovaçevski shtoi se shteti i Maqedonisë është pjesë e pandarë e Europës dhe këtë e ka dëshmuar disa herë si partner i besueshëm i BE-së, si dhe i vendeve anëtarë të Unionit.
 
“Është kënaqësia e madhe që pas 17 vjet pritje, sot fillojmë përfundimisht negociatat. Po hapim perspektiva të reja për vendin dhe qytetarët. Ngadalë por sigurt po i bashkohemi familjes më të madhe evropiane, që ishte objektivi strategjik  dhe parësor i yni, dekada më parë. Përmes një procesi të gjerë konsultativ, ne e njohëm propozimin evropian që shihet si zgjidhja më e mirë e mundshme, që në shumë aspekte respekton dhe ruan vijat e kuqe në vazhdimësi. Për ne shumë e rëndësishme është gjuha e maqedonase, e cila do të specifikohet pa asnjë shtesë, shpjegim apo fusnotë.  Kjo i hap derën që gjuha maqedonase të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së. Atë që unë personalisht e konsideroj se është arritja më e madhe dhe suksesi më i rëndësishëm i yni, është se në këtë mënyrë gjuha maqedonase jo vetëm  që do të  mbrohet, por do të përjetojë një promovim të jashtezakonshëm  për shumë vende dhe kultura, të cilat tradicionalsht nuk kanë kontakt me gjuhën tonë, dhe që  do të mund t’a njohin atë”,- deklaroi kryeministri Kovaçevski.
 
Rama: Faleminderit Macron, hape rrugën e debllokimit të një situate absurde
 
Kryeministri Rama tha ndërkohe që përveç realizimit të kritereve të kërkuara nga Bashkësia Ndërkombëtare,  nga të dyja vendet, kontribuues i madh për fillimin e këtij procesi të shumëpritur është edhe Propozimi francez, të cilin e përpiloi presidenti Macron gjatë presidencës franceze. 
 
“Nuk do te mund të ishim këtu pa përpjekjet e presidentit francez, Emanuel Macron, dhe ekipit të tij të cilët punuan pa u lodhur sidomos gjatë procesit kur u mbajt Samiti i NATO-s. Për këtë ishim dëshmitarë edhe vetë,  duke e parë situatën e cila solli deri tek një propozim final nga ana e presidencës franceze, i cili hapi rrugën drejt debllokimit të një situate të krijuar absurde”,- deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama.  
 
Von Der Leyen: E merituat, qytetarët tuaj kanë pritur kaq gjatë
 
Në prononcimin e saj, kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, tha se sot të dy vendet po hapin negociatat e anëtarësimit me BE-në. Për të, ky është një sukses i qytetarëve dhe shteteve. 
 
“Maqedonia e Veriut së shpejti do të negociojë me ne për FRONTEX. Do të forcojë bashkëpunimin tonë për migracionin. Mund të mbështeteni tek unë për t'u siguruar që kontrata do të përkthehet në gjuhen maqedonase pa fusnote. Do të ketë rritje të investimeve, përmirësim të marrëdhënieve tregtare, bashkëpunim më të mirë për energjinë dhe transportin. Dhe këtë e meritojnë dhe e kanë pritur qytetarët tuaj kaq gjatë. Keni treguar lidership, durim strategjik. Keni treguar se jeni miq dhe partnerë të vërtetë.”,- deklaroi kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.
 
Fillimi i konferencës i shpall të hapura negociatat me të dyja vendet, e pasuar me procesin e skriningut, një analizë e thellë e legjislacionit të dy vendeve dhe shkallës së përputhshmërisë së tyre me legjislacionin europian. Këshilli i BE-së mbrëmë  i dha “dritë jeshile” hapjes se negociatave për anëtarësim, Shqipërisë dhe RMV-së.  
 
MERITA GASHI