Maqedoni

VMRO-DPMNE: Qeveria gënjen, negociatat i nisi Shqipëria

19.07.2022 13:22

Mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, VMRO-DPMNE e cilëson si një gënjeshtër të madhe...

Mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, VMRO-DPMNE e cilëson si një gënjeshtër të madhe të partive në pushtet për të manipuluar  qytetarët. Nëse vlerësojnë se është ditë historike, përse nuk festojnë fitoren në shesh - pyesin nga opozita. Sipas tyre, realisht vetëm Shqipëria fillon negociatat, ndërsa qeveria jonë vetëm është fotografuar në Bruksel.  
 
“Në Bruksel kemi dy shtete, Shqipërinë - që realisht do t’i fillojë bisedimet, me hapjen e seancës ndërqeveritare dhe Maqedoninë - për të cilën do të ketë vetëm një drekë zyrtare dhe sesion të fotografive, por jo edhe fillim të  bisedimeve sepse ata do të kthehen në shtëpi për t’i plotësuar kërkesat e Bullgarisë, të cilat janë parakusht për fillimin e bisedimeve.”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Ditë historike, sukses për RMV-në dhe qytetarët
 
Pavarësisht akuzave të opozitës, pushteti e cilëson si historike këtë ditë dhe një sukses të ri i madh për të gjithë qytetarët.
 
“Këshilli i Bashkimit Europian i dha dritën jeshile Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe negociatat zyrtare për anëtarësim të plotë, fillojnë pikërisht me konferencën e sotme ndërqeveritare. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për popullin maqedonas,  është se ne i  fillojmë negociatat me BE-në si maqedonas, me gjuhë, identitet, histori, kulturë dhe veçantitë maqedonase të mbrojtura.”,- thanë nga LSDM.
 
BDI: Arritëm të ofrojmë të ardhmen europiane
 
Edhe BDI vlerëson se fillimi i negociatave për anëtarësi hap perspektiva të reja për vendin dhe qytetarët.
 
“Kemi kurorëzuar me sukses të gjitha përpjekjet për të mbajtur një qasje personale si forcë progresive së bashku me të gjithë aktorët politikë në vend. BDI vlerëson se këto janë momente krenarie, sepse arritëm të ofrojmë një perspektivë të re, të sigurt dhe një të ardhme europiane për të gjithë qytetarët e vendit.”,- thanë nga BDI.
 
Me urime për fillimin e negociatave kanë dalë edhe partitë e tjera shqiptare. 

FITIM  KRYEZIU