Botë
Be, prioritetet e presidencës letoneze, Ballkani kushtëzohet me kriteret
14.01.2015 14:28
Këndvështrimi i ri për fqinjësinë e BE-së, veçanërisht në lindje por dhe në jug, është prioriteti aktual i Presidencës së re...

Seanca plenare nisi në Strasburg, jo vetëm me homazhet për ngjarjet tronditëse të javës së kaluar në Francë, por edhe duke përkujtuar çlirimin nga rusët të kampit të përqendrimit në Auschëitz, 70 vjet më parë.
“70 vjet më parë, më 27 janar 1945, në Auschvitz u çlirua kampi i përqendrimit nga trupat sovjetike. Ato që panë çlirimtarët shokuan gjithë botën dhe vazhdojnë edhe sot. Përgjegjësia e individëve është marrë me vete, në varret e tyre. Megjithatë, ne ndajmë përgjegjësi të përbashkët për të garantuar se kjo nuk do të ndodhë më. 70 vjet pas çlirimit të hebrenjve në Auschëitz, Evropa ende trembet për sigurinë e saj. Kjo duhet të na tmerrojë dhe ne duhet të rezistojmë ndaj kësaj frike. Ne duhet të garantojmë që kjo urrejtje të mos përhapet. Si shembull sjell ngjarjet e fundit në Paris” deklaroi Martin Schulz, president i PE-së.
“Ne duhet të kujtojmë historinë e të nxjerrim mësimet e duhura. Sot jemi mbledhur në territorin francez dhe si mund të harrohet drama, tragjedia kolektive dhe individuale; mbetemi të shokuar, të nervozuar dhe absolutisht të neveritur nga çfarë ndodhi në Paris dhe zonën përreth tij, javën e shkuar. Po, ne jemi të gjithë Charlie! I dhamë fund Presidencës italiane dhe, në marrje të drejtimit nga Letonia është një moment për të reflektuar pak më larg. Kush do ta kishte besuar në 1957-n, se në 2015-n Letonia do të udhëhiqte BE-në për qëllimet e Evropës?! Duke na drejtuar, kjo jep shembullin e pajtimit të historisë me gjeografinë”, tha Jean-Claude Junker, president i KE-së.
Për zgjerimin, sipas strategjisë 6-mujore, Letonia angazhohet për vazhdimin e negociatave me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit kushtëzohen nga meritat individuale të përmbushjes së kritereve.
“Ky parim do të udhëheqë punën e Presidencës në avancimin drejt perspektivës evropiane të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas fazës respektive të integrimit të tyre, me qëllimin final anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, thuhet në dokumentin që njeh “rëndësinë strategjike të zgjerimit” për stabilitetin politik dhe ekonomik të Evropës.
