Maqedoni

VMRO-DPMNE: Nuk do të pranojmë që të hapet kushtetuta

19.07.2022 14:20

Edhe pse RMV arriti që pas 17 vitesh të largohet nga dhoma e pritjes e Bashkimit Evropian....

Edhe pse RMV arriti që pas 17 vitesh të largohet nga dhoma e pritjes e Bashkimit Evropian, rruga drejt anëtarësimit përfundimtar nuk do të jetë e lehtë me opozitën që kundërshton ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare.
 
VMRO-DPMNE këmbëngul se nuk do të pranojë që të hapet Kushtetuta, gjë që është kusht për fillimin e negociatave.
 
“Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, në lidhje me çështjen e Bullgarisë, nuk do të ndryshohet. Kjo do të thotë se prognoza që deklaroi presidenti Pendarovski, obligimi i marrë, nuk do mund të realizohet e kjo do sjellë krizë politike e cila do të rezultojë më herët ose më vonë me zgjedhje të parakohshme parlamentare.”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Përgjegjësi e opozitës të marrë pjesë në debat
 
Kryeministri Kovaçevski thotë se politikanët nuk duhet të mendojnë vetëm për rejtingun politik por edhe për të ardhmen e shtetit.
 
“Është përgjegjësi e opozitës që të vazhdojë të marrë pjesë në këtë debat. Do të ketë shumë hapa më tej drejt anëtarësimit përfundimtar. Është e vërtetë, Kuvendi e kaloi hapin e parë dhe është vendi ku do të duhet të kalohet hapi i dytë, i tretë dhe i katërt deri në anëtarësimin përfundimtar. Është përgjegjësi e çdo politikani të mendojë për të ardhmen e vendit dhe brezave të ardhshëm, e jo  vetëm për rejting  personal dhe karrierën e tij politike.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Ndryshimet kushtetuese, Varhey: Do të ndodhin, opozita të përfshihet
 
Edhe komisioneri evropian për zgjerim, Oliver Varhey, i apelon opozitës maqedonase të tregojë se është e përkushtuar për anëtarësimin e vendit në BE.
 
“Shpresoj që tani e tutje të gjitha partitë politike, përfshirë edhe opozitën, të punojnë për të ardhmen evropiane dhe të mos fillojnë polemika e të ngjallin emocione që nuk do ta çojnë vendin përpara. Prandaj i bëj ftesë opozitës dhe kam pasur rastin të shoh se si janë kapërcyer kufijtë e vlerave europiane gjatë këtij debati. Por shpresoj se me këtë konferencë ndërqeveritare mund të kthejmë një faqe të re dhe të fokusohemi në atë që duhet të bëjmë që Maqedonia e Veriut të bëhet shpejt anëtare e BE-së. Ndryshimet kushtetuese është e qartë se duhet të ndodhin.”,- theksoi komisioneri evropian për zgjerim, Oliver Varhey.
 
I pyetur se si Komisioni Evropian do të parandalojë që raportet vjetore nga neni 12 të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, të mos bëhen pengesë për negociatat, Varhey tha se edhe në raportet e mëparshme të Komisionit  është raportuar për marrëdhënie të mira fqinjësore.
 
SANIJE DURAKU