Maqedoni

Bruksel, mbahet konferenca ndërqeveritare BE-RMV, Kovaçevski: Siguruam përgjithmonë gjuhën maqedonase

19.07.2022 15:38

Bashkimi Evropian përfundimisht hapi portën që çon drejt fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut...

Bashkimi Evropian përfundimisht hapi portën  që çon drejt fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Në praninë e 26 përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së dhe krerëve të unionit dhe delegacionit të tij, kryeministri Kovaçevski mbajti fjalimin në konferencën e pare ndërqeveritare, çelës për vazhdimin e mëtutjeshëm të aspiratave. Historike është kjo ditë për qytetarët e vendit, tha Kovaçevski, ndërkaq fjalimin e tij në gjuhën maqedonase në Bruksel, e quajti dëshmi se gjuha maqedonase përjetë është siguruar në Bashkimin Evropian, e barabartë me të tjerat.
 
“Paraqet nder të madh për mua që kam mundësi të shprehem në gjuhën time amtare, gjuhën maqedonase në konferencën ndërqeveritare të shumëpritur dhe plotësisht të merituar, me të cilën i hapim bisedimet për anëtarësim të plotë të RMV-së në BE. Dita e sotme është historike. Pas 17 viteve e bëjmë hapin kryesor në rrugën drejt realizimit të ëndrrës me dekada... Punojmë me përkushtim në tejkalimin e sfidave dhe përparimin e raporteve me fqinjët në bazë të marrëveshjeve. Mbetemi të përkushtuar në implementimin e tyre dhe sjellje të njëjtë dhe konzistente presim edhe nga fqinjët tanë dhe partnerët.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Leyen: Rezistuat dhe fituat një hap para drejt anëtarësimit
 
Kryetarja e KE-së, Ursula Von Der Leyen, përgëzoi qytetarët dhe politikanët e shtetit për rezistencën deri në këto momente. Tash e tutje sipas saj, Shkupi dhe Tirana duhet të punojnë në harmonizimin e ligjeve vendore me ato të BE- së. Uroi edhe për reformat e shënuara.
 
“Treguat rezistencë dhe mbajtjen e besimit në procesin aderues. Përforcuat sundimin e ligjit, luftërat kundër korrupsionit, keni media të lira, shoqëri multietnike, reforma të shumta… Skriningu do të fillojë dhe do t'i njoftojmë RMV-në dhe Shqipërinë me të drejtat dhe detyrimet në unionin tonë.”,- deklaroi kryetarja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
 
Varhelyi: Ju duam në BE, është mesazh për të gjithë rajonin
 
Ju duam në BE dhe punoni në fazat e rradhës tha eurokomesari për Zgjerim Oliver Varhelyi.  
 
“Politika e konferencës ndërqeveritare është fund i  një procesi të gjatë dhe fillim i një faze të re  të bisedimeve aderuese, diçka për të cilën shpresojmë se do të lëviz shpejt. Mesazhi ynë sot për qytetarët e RMV-së është shumë i qartë: Ju duam në BE! S'ka dilema këtu. Sot dërgojmë mesazh të fuqishëm për rajonin e më gjerë. Jemi të bindur se do të punojmë  shpejt dhe në mënyrë efektive në procesin negociues.”,- u shpreh komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi.
 
Ministri i jashtëm çek: Hapja e kapitujve varet prej jush
 
Edhe ministri i jashtëm i Çekisë, Jan Lipavski, ftoi Shkupin të punojë fuqishëm që sa më shpejt të merr në dorë kornizën negociuese.
 
“Do t'ua prezantojmë kornizën negociuese në konferencën e radhës ndërqeveritare, e cila do të mbahet pa vendim të ri, kur RMV do t'i plotësojë obligimet për ndryshimet kushtetuese.”,- theksoi ministri i jashtëm i Çekisë, Jan Lipavski.
 
Pas konferencës së parë ndërqeveritare mes BE-së dhe RMV-së fillon skriningu, për të cilën unioni ka paraparë 1 vit e gjysmë kohë  deri në përgatitjen finale, e në ndërkohë, pret Shkupin të plotësojë kushtet e dala nga propozimi francez dhe protokolli me Bullgarinë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU