Maqedoni

Bruksel, Maqedonia e Veriut dorëzon deklaratën për gjuhën

19.07.2022 15:46

Maqedonia e Veriut dorëzoi në Bruksel deklaratën unilaterale për gjuhën maqedonase...

Maqedonia e Veriut dorëzoi në Bruksel deklaratën unilaterale për gjuhën maqedonase. Në të thuhet se gjuha maqedonase është gjuha zyrtare e cila flitet në gjithë territorin e shtetit, e kodifikuar në vitin 1945 dhe se shteti s’do të pranojë të bisedojë për zgjidhje ndryshe për gjuhën maqedonase nga ajo që është theksuar në kornizën negociuese. 
 
“Gjatë negociatave për anëtarësim në BE dhe pas pranimit të RMV-së si anëtare e plotë në BE, Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë të diskutojë për një zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase nga ajo që thuhet në Kornizën Negociuese. Me pranimin e Maqedonisë së Veriut në anëtarësim të plotë në BE, gjuha maqedonase duhet të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së.”,- theksohet në deklaratë.
 
Gjithashtu në dokument theksohet rëndësia e nënshkrimit të të gjitha dokumenteve me BE-në në gjuhën maqedonase.
 
“Gjatë nënshkrimit të çfarëdo marrëveshje dhe dokumenti të Maqedonisë së Veriut me BE-në të cilat përmbajnë dispozitë gjuhësore që specifikon të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së, siç është marrëveshja e bashkëpunimit me Frontex-in, të njëjtat do të duhet të nënshkruhen duke specifikuar gjuhën maqedonase pa asnjë shpjegim, shtesë apo fusnotë.”,- thuhet në deklaratën unilaterale.
 
Ditë më parë edhe Bullgaria ka dorëzuar deklaratë të njëanshme për gjuhën maqedonase, duke iu referuar gjuhës maqedonase si formë dialektore e bazuar në gjuhën letrare bullgare.
 
“Çdo referim në gjuhën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut sikurse dokumente, pozicione, deklarime të BE-së dhe institucioneve, organeve, shërbimeve dhe agjencive të saj, duhet të kuptohen në mënyrë rigoroze në përputhje me Kushtetutën e këtij vendi dhe në asnjë rast nuk duhet të interpretohen si njohje të “gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë.”,- thuhet në deklaratën bullgare.
 
Pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, vijon procesi I skriningut që nënkupton shqyrtimin e legjislacionit të vendit kandidat me ligjet e BE-së të ndarë në 35 kapituj negociues, të mbledhur në gjashtë grupe. Kapitujt do të mund të mbyllen vetëm me bekimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe më pas vendi shpallet vend aderues për në BE. Bullgaria i ka rezervuar vetes të drejtën për ta bërë këtë nëse protokolli dypalësh nuk zbatohet nga Maqedonia e Veriut.

MERAL ISMAILI