Maqedoni
Krismat në dasma, SPB-Tetovë: Arma merr jetë, kush gjuan dënohet
19.07.2022 16:06
Përdorimi i armëve të zjarrit nëpër ahengje familjare apo dasma është një traditë e mbrapshtë që praktikohet edhe më tej

Përdorimi i armëve të zjarrit nëpër ahengje familjare apo dasma është një traditë e mbrapshtë që praktikohet edhe më tej, që shpesh mund të sjellë dëme fatale, e festa të kthehet në tragjedi. Për të parandaluar një gjë të këtillë, nga SPB-Tetovë apelojnë qytetarët të kenë kujdes dhe mos të gjuajnë me armë, pasi do të përballen me dënime në të holla, por edhe dënim me burg.
“Dënimi apo gjoba për këtë lloj shkeljeje është prej 200 deri në 500 euro euro në kundërvlerë të denarit. Megjithatë, nëse kjo vepër paraqet dëme më të mëdha materiale apo kalon në lëndime në njerëz ose viktima, atëherë edhe lënda kalon në vepër penale e cila do të dënohet sipas kodit penal me dënim me burg prej 1 deri 5 vjet. Apeloj qytetarët të festojnë me zemër e jo me arme zjarri sepse në këtë mënyrë një dasmë mund të kalojë në tragjedi.”,- thuhet nga SPB-Tetovë.
Qytetarët: S’dimë a të gëzohemi a të ruhemi
Nga krismat e dikujt, viktima mund të jemi të gjithë, theksojnë qytetarët. Ata apelojnë që qytetarët të ndërgjegjësohen në këtë drejtim, por edhe organet kompetente të ndërmarrin masa.
“Ka organe kompetente, të ndalohet krisja, në komshi është plagosur njeri duke ndenjur në oborr. Prej në qiell i ka ardhur plumbi.”,- theksoi një qytetar.
“Në të gjithë e dimë se gëzimet tona mund të bëhen edhe në forma të tjera të ndryshme ku qytetarët mund të shprehin dëshirën dhe vullnetin për gëzimin familjar, por jo përmes armëve. Të gjithë e dimë se viktimë mund të jetë edhe fëmija i tyre. Ka pas viktima në të kaluarën po edhe tash para disa ditëve.”,- u shpreh një qytetar.
Vetëm para disa ditësh, si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri në një aheng familjar në qytetin e Tetovës, është plagosur një fëmijë. Raste të tilla ka pasur edhe gjate viteve të kaluara.
BELINDA KOKA ADEMI
