Maqedoni
Protestë para kuvendit, kundërshtohet Ligji për Arsim
14.01.2015 15:13
Plenumi i Studentëve protestoi para Kuvendit Republikan ndryshe nga ditët e tjera...

Në mënyrë simbolike, me shirit të kuq, studentët sot filluan maratonën e improvizuar të deputetëve me mesazhin “të zgjedhurit e popullit po vrapojnë në rrethin e fundit të procesit reformues”.
Plenumi i Studentëve me fletushka me mbishkrimin “JO” u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë Ligjin për Arsim të Lartë.
“Do të bojkotojmë, bllokojmë dhe okupojmë. Ne kemi vetëm një mesazh, universiteti është i yni dhe sërish do ta kthejmë atë. Dhe në mbrëmje me fillim në orën 19 ejani të gjithë të varrosin arsimin sipëror”- deklaroi një student.
“Ky është vendi ku është vrarë autonomia e universitetit, për çdo vrasje ekziston vendi i krimit, e shpall kuvendin si vend të krimit”- u shpreh një student.
“Edhe sot, përmes një maratone simbolike që po zhvillohet, do t’i duartrokasim deputetëve për këto reforma të këqija nga qeveria”- tha Daim Luci nga USSH.
“Pushteti, MASH-i dhe kryeministri bëjnë çmos që këtë debat mos ta bëjnë, ta bëjnë vetëm formalisht sa për sy e faqe, sa për kamera. Kjo tregon se kush ia do të mirën arsimit dhe kush do që këtë proces ta keqpërdor për akoma më tepër presion për shoqërinë”- theksoi qytetari aktivist, Pertit Saracini.
“Do të fillojmë të mos shkojmë në fakultete, do t’i bojkotojmë orët të mos ndjekim mësim deri në realizimin e kërkesave tona”- potencoi një student.
“Masat tjera do t’i ndërmarrim si okupim të hapësirave publike, protesta më masive dhe radikalizim të protestave”- tha një student.
“Bëhet fjalë për reformë e cila është kundërkushtetuese dhe nuk mund të polemizohet me askënd për këtë reformë”- deklaroi profesoresha universitare, Elena Grabesh.
Por, drejtpërdrejt zërin e studentëve e dëgjoi vetëm deputetja, Sollza Gërceva, e cila doli të inkurajojë studentët.
“Këtë që po e bëjnë studentët tani është e vetmja mënyrë që mund të shkaktojë ndryshim, dhe ne jemi këtu që ta dëgjomë zërin e popullit”- theksoi deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.
Nga Plenumi Studentor informuan se nëse votohet ligji do të ndërmerren masa më radikale, duke përdorur të gjitha metodat jashtë institucionale.
FLUTURA LATIFI
