Maqedoni
Kuvend, miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2022
19.07.2022 16:56
Deputetët e kuvendit kanë shterur debatin lidhur ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut....

Deputetët e kuvendit kanë shterur debatin lidhur ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2022. Shumica parlamentare dhe opozita ngelën të ndarë në qëndrimet e tyre për shpenzimin e arkës shtetërore. Megjithatë kuvendi miratoi ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2022.
“Për votuan 61 deputet, kundër nuk ka të përmbajtur 14 deputetë. Konstatoj se kuvendi e miratoi ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit të RMV-së për vitin 2022.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së votuan të përmbajtur, ata janë të pakënaqur me refuzimin e amendamenteve të tyre.
“Do të votojmë të përmbajtur për arsye se opinion maqedonas mirë e di se bëhet fjalë për një buxhet më të lartë deri më tani përkatësisht përtej 4.7 miliardë euro. Për këtë buxhet kishim 174 amendamente nga grupi ynë i deputetëve nga të cilat mund të numërohen nga një dorë ata të cilat u pranuan nga grupi ynë parlamentarë dhe po aq nga deputetët tjerë opozitarë.”,- u shpreh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Me rishikimin e buxhetit të hyrat janë paraparë 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë më të larta se parashikimet fillestare, ndërsa shpenzimet në nivel prej 288,5 miliardë denarë ose rreth 16 miliardë denarë më shumë në raport me projeksionet fillestare për vitin 2022. Gjatë shqyrtimit të amendamenteve në Komisionin për Financa dhe Buxhet janë inkorporuar amendamente, me të cilat janë siguruar 25 milionë denarë shtesë për shëndetësinë, mjedisin dhe infrastrukturën.
NAIM RAMADANI
