Maqedoni
Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, humbën jetën shumë civilë, dhjetëra u plagosën
19.07.2022 17:10
Forcat ruse kanë kryer seri sulmesh në qytetin Avdiivka ditët e fundit, por ushtria ukrainase ka mbajtur pozicionet duke u përpjekur deri në fund....

Forcat ruse kanë kryer seri sulmesh në qytetin Avdiivka ditët e fundit, por ushtria ukrainase ka mbajtur pozicionet duke u përpjekur deri në fund. Avdiivka - një zonë në veri të qytetit të Donetsk, është bombarduar shpesh për tre muaj.
“Situata në rajonin e Avdiivkës ishte e qëndrueshme, por e vështirë. Para disa ditësh ata kryen aksione shumë të rënda sulmuese në këtë drejtim dhe siç u tha nga Shtabi i Përgjithshëm, ata patën një sukses, por nuk zgjati shumë, pasi gjatë ditës pozicionet tona u rifituan.”,- tha kreu i ushtrisë ukrainase në Avdiivka.
Sulme me raketë ruse janë raportuar edhe në qytetit-port të Odesës që lanë të plagosur disa civilë. Raketat ruse kanë goditur edhe pjesën qendrore të Kramatorskut, duke lënë të vdekur një civil. Rusia vazhdon pretendimet se godet objektet ushtarake.
“Sulmi me armë me precizion të lartë shkatërroi depo municionesh për armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane pranë Belen`ke, rajoni i Odessas.",- theksoi zëdhënësi rus i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenko.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina tani është e aftë të shkaktojë “humbje të konsiderueshme” ndaj pushtuesve rusë falë një fluksi të armëve moderne perëndimore që po e ndryshon ekuilibrin në fushëbetejë.
“Hap pas hapi ne po avancojmë, po i pengojmë furnizimet për pushtuesit, po identifikojmë dhe neutralizojmë kolaboracionistët. Perspektiva është e qartë: flamuri ukrainas do të jetë në të gjitha qytetet dhe fshatrat tona. Në pyetje është vetëm koha.”,- deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
Rusia nuk e ka në plan të ndalojë invazionin në Ukrainë derisa t’i përbush synimet e saj. Presidenti rus, Vladimir Putin, arriti në Teheran për të biseduar me homologët e tij iranian dhe turk, Ebrahim Raisi dhe Recep Tayyip Erdogan. Bisedimet do të përqendrohen në propozimin e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që ka për qëllim rikthimin e eksporteve të drithërave ukrainase për të lehtësuar krizën globale ushqimore. Bllokada e eksporteve të drithërave ka bërë që çmimet globale të ushqimit të rriten dhe janë rritur shqetësimet për përhapjen e urisë në botë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
