Futboll

Prezantohet para mediave Xherdan Shaqiri

14.01.2015 15:24

Mesfushori shqiptar Xherdan Shaqiri është prezantuar tek skuadra e Interit edhe zyrtarisht në një konferencë për media...

E gjithë kjo, pasi ylli shqiptar i Zvicrës pak ditë më parë ishte transferuar nga Bayern Munich tek “Nerazurët”.
 
23 vjeçari me skuadrën e Roberto Mancinit ka firmosur kontratë deri në vitin 2019, ndërsa duke folur para gazetarëve të shumtë, tha se i ka pëlqyer projekti i klubit italian.
 
Ai e ka pranuar se ka patur edhe oferta të tjera, por se fjalët e trajnerit Roberto Mancinit e kanë bindur që të bëhet pjesë e Interit.
 
“Kam pasur edhe oferta të tjera, por dëshira ime ishte e qartë. Trajneri më ka prezantuar projektin, fjalët e tij më kanë bindur dhe tani dua t’i ndihmoj klubit që të arrijë në nivele të larta. Pavarësisht ofertave, e kam dashur gjithmonë Interin”, ka thënë Shaqiri.
 
Ai është pyetur se a do të ketë në stadium edhe tifozë shqiptar pas transferimit të tij në Inter?
 
“Unë kam lindur në Kosovë, ndërsa Interi ka tifozë anembanë botës. Tifozët nuk janë vetëm shqiptarë”, ka thënë Shaqiri, i cili ka shtuar se ndjehet shumë mirë që është pjesë e një klubi më traditë të madhe siç është Interi.