Maqedoni
Çështja e emrit, Popovski: Johanes Han do të zbus Greqinë
14.01.2015 15:31
Komisioni Evropian nuk ka kurrfarë interesi që të vazhdojë me dhënien e rekomandimeve për fillimin e negociatave për Maqedoninë në pritje që Greqia...

Komisioni Evropian nuk ka kurrfarë interesi që të vazhdojë me dhënien e rekomandimeve për fillimin e negociatave për Maqedoninë në pritje që Greqia në një moment ta tërheq veton në Këshillin e BE-së.
Eurokomisari i ri për zgjerim, Johanes Han, me siguri do të tentojë ta nxis interesin tek Greqia për largimin e bllokadës formale. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, në intervistën për “MIA”-n, i pyetur për pritjet nga eurokomisari për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, Johanes Han.
"Nuk ka asnjë interes që KE-ja të vazhdojë me dhënien e rekomandimeve dhe pritjen e asaj që Greqia në një moment ta largojë veton që e ka vendosur në këshill. Mendoj se klima që u krijua dhe mbështetja nga disa vende anëtare në BE shkon në drejtim të asaj që t'i mundësohet komisarit Han të udhëheq dialog efektiv me Maqedoninë, i cili do të na afrojë deri te anëtarësimi dhe njëherit të krijojë klimë ku edhe Greqia do të ketë më pak shkaqe të kërkojë vetëm arsyetime të bllokojë. Formulën duhet ta ndryshojnë në njërën ose tjetrën mënyrë, për ne kyçe do të jenë negociatat për qasje në BE dhe kjo do të bëhet në vitin 2015"- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki.
Për analistin, Ibraim Mehmeti, autoritetet vendore nuk duhet ta ngushëllojnë veten se ardhja e një funksionari të ri do të debllokojë kontestin Maqedoni-Greqi, sepse institucionet ndërkombëtare dhe funksionarët ndërkombëtar janë vetëm ndihmues, ndërsa fjalën e fundit e ka sërish Maqedonia.
“Problemi është se çështja e debllokimit të eurointegrimit të Maqedonisë duhet të bëhet në Maqedoni. Derisa institucionet vendore, udhëheqësit shtetërorë dhe të gjithë ata që kanë çfarëdo roli në këtë proces nuk gjejnë një mënyrë që ta zhbllokojnë këtë, nuk mund të presim diçka e këtillë të vijë nga jashtë”- tha analisti ,Ibraim Mehmeti.
Me gjithë optimizmin e funksionarëve vendor se eurokomisari i ri për zgjerim, Johans Han, do të zbus qëndrimin e palës greke, Maqedonia dje u anashkalua nga kryeministri italian, Mateo Renzi, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian.
Edhe presidenca e re letoneze do të angazhohet për vazhdimin e negociatave me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit kushtëzohen me meritat individuale të përmbushjes së kritereve.
SANIJE KASAMI
