Temperaturat e larta në Shkup, ekipet e Kryqit të Kuq do të patrullojnë në rrugë

20.07.2022 14:13

Pas paralajmërimeve për temperatura jashtëzakonisht të larta....

Pas paralajmërimeve për temperatura jashtëzakonisht të larta që do të përfshijnë qytetin e Shkupit, 30 vullnetarë të Kryqit të Kuq do të patrullojnë në stacionet e autobusëve, ambulancat, tregjet, etj,  gjatë ditëve të punës, nga  21deri më 28 korrik.

Në këto lokacione, siç informojnë nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, ata  do të shpërndajnë shishe me ujë dhe nëse është e nevojshme do të masin tensionin e qytetarëve që ankohen për probleme shëndetësore.

“Në rastet e intervenimit, nëse vërehet problem më i rëndë shëndetësor, ekipet do të transportojnë në objektin më të afërt shëndetësor, ose në shtëpi,  personin që ka nevojë për terapi”, thonë nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit.

Në pikën e të pastrehëve të Kryqit të Kuq në Momin Potok, në dispozicion është numri i telefonit 071/223-972 për raportime nga qytetarët për personat e pastrehë të prekur nga vala e të nxehtit.

Ekipet mobile, do u ofrojnë ndihmë dhe mbështetje të pastrehëve duke shpërndarë ujë, matjen e presionit të gjakut dhe për rastet më të rënda dhe intervenuese do të sigurohet edhe transport.