Shkarkoi drejtoreshën e gjimnazit, MASh ia merr ingerencat Bilall Kasamit
Ministria e Arsimit ia mori ingerencat komunës së Tetovës për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”....

Ministria e Arsimit ia mori ingerencat komunës së Tetovës për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, pasi edhe përkundër masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk ka vepruar sipas kompetencave ligjore.
MASh njofton se më 8 korrik, Inspektorati Shtetëror i Arsimit e njoftoi Ministrinë e Arsimit se me iniciativë të drejtoreshës së shkarkuar, është kryer inspektim i jashtëzakonshëm dhe është konstatuar se kryetari i komunës së Tetovës e ka shkarkuar drejtoren pa procedurë paraprake të zhvilluar në përputhje me ligjin dhe ka emëruar ushtrues detyre.
“Është konstatuar se aktvendimi për shkarkimin e drejtorit ende nuk është anuluar, ndërsa funksionin ushtrues detyre ende e ushtron drejtori i ri i emëruar”, thuhet në kumtesën e MASH-it.
Ingerencat për emërim dhe shkarkim, në pajtim me Ligjin i merr Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në emër dhe llogari të komunës në kohëzgjatje prej 12 muajve.
