Pandemia Covid-19, përfaqësues nga 7 vende shkëmbejnë përvojat

20.07.2022 15:40

Përfaqësues të pushtetit lokal dhe mjekë nga vendi

Përfaqësues të pushtetit lokal dhe mjekë nga vendi, Italia, Spanja, Bullgaria, Franca, Gjermania dhe Polonia, po realizojnë projektin lidhur me shkëmbimin e praktikave dhe përvojave gjatë pandemisë së Kovid 19.

Drejtoresha e spitalit në Borgo Maero të Italisë thotë se së fundmi virusi Korona sërish po përhapet ndjeshëm, prandaj zgjidhja është te vaksinimi.

“Vaksinimi na ka ndihmuar shumë dhe rezultatet janë të dukshme pasi momentalisht repartet e trajtimit intensiv nuk janë të ngarkuara siç ishte më parë. Në spital aktualisht kemi 20 pacientë, prej të cilëve vetëm një është në trajtim intensiv. Lidhur me të ardhmen nuk e di çfarë mund të them, por shpresoj se do të përgatitet ndonjë vaksinë e re e cila do të na ndihmojë sepse vaksinimi është masë e vetme që na e lehtëson situatën.”,- tha drejtoresha e spitalit në Borgo Maero-Itali.

Në Spitalin e Shtipit po rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore si dhe pacientët në trajtim spitalor. Në mesin e të infektuarve ka edhe persona që edhe më parë kanë qenë të infektuar me Kovid-19, ose janë të vaksinuar. Në trajtim spitalor janë kryesisht pacientë me komorbiditete tjera.

“Ata që e kanë kaluar virusin ose janë vaksinuar, vërehet se kanë gjendje më të lehtë klinike dhe përfundojnë me trajtim ambulantor në kushte shtëpiake.”,- theksoi drejtoresha e Spitalit në Shtip.

Shëndetësia në kohë të krizës së Kovid-19 është pjesë e projektit Spring, solidaritet në aksion që ka për qëllim nxitjen e solidariteti dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. (Gyltene Sinani, TVM2)