Maqedoni
Shkelja e të drejtave në institucionet shëndetësore, Komiteti i Helsinkit ofron ndihmë juridike falas
20.07.2022 17:20
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj dhe IRL...

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj dhe IRL do të ofrojnë ndihmë juridike falas për qytetarët, të drejtat e të cilëve si pacientë janë kërcënuar rëndë nga institucionet shëndetësore private ose publike. Ndonëse rastet e shkeljes së të drejtave shëndetësore janë vazhdimisht të pranishme, Komiteti i Helsinkit thekson se pandemia Covid, ka nxjerrë në dritë probleme të thella sistematike, të cilat nga njëra anë shkaktojnë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e njerëzve, dhe nga ana tjetër, mundësojnë fitim të madh për individët në kurrizin e pacientëve dhe familjeve të tyre.
“Duke pasur parasysh ankesat e shumta të qytetarëve, të cilat mbërritën në IRL pas transmetimit të dokumentarit “Gjaku i papastër” dhe se procesimi ligjor i rasteve nuk është në domenin e redaksive të mediave, Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj, do të ndihmojnë për përpunimin e duhur të ankesave nga qytetarët, shëndeti dhe të drejtat e të cilëve si pacientë janë kërcënuar rëndë nga institucionet shëndetësore, private dhe publike, si dhe veçanërisht nga mungesa e mbikëqyrjes thelbësore mbi to nga institucionet kompetente”, thuhet në njoftimin e Komitetit të Helsinkit.
“I inkurajojmë qytetarët e tjerë me dokumentacionin që posedojnë të lajmërohen personalisht në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ose në Shoqatën Maqedonase të Juristëve të Rinj, si ofrues të autorizuar të ndihmës juridike nëse janë përballur me trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, nëse, gjatë dhënies së ndihmës mjekësore, mjeku përdor një mjet ose metodë trajtimi dukshëm të papërshtatshme ose nuk zbaton masat dhe veprimet e duhura higjienike, si dhe në këtë mënyrë shkakton përkeqësim të gjendjes shëndetësore të personit, mosdhënie të ndihmës mjekësore, gjegjësisht nëse mjeku ose punonjësi shëndetësor nuk i ofron ndihmë të menjëhershme mjekësore personit të cilit i rrezikohet jeta, institucionet, mosveprimi sipas kërkesave të qytetarëve...”, thuhet në njoftim.
Qytetarët do të marrin ndihmë juridike edhe nëse dyshojnë se kanë qenë pjesë e një prove klinike pa dijeninë e tyre, ose u është kërkuar të paguajnë ryshfet për një shërbim shëndetësor nga një mjek ose punonjës shëndetësor.
Qytetarët mund të kontaktojnë në adresat e mëposhtme dhe të gjitha rastet do të futen në një bazë të përbashkët të dhënash:
IRL–Bulever Ilinden 47-2, 1000 Shkup; +38976302307; [email protected].
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut - ul. Naum Naumovski Borce 83, 1000 Shkup; 02/3119-073 dhe 072/278-436; personat për kontakt: Natasha Petkovska [email protected]; Ina Dzugumanova [email protected]; Tona Kareva [email protected]; Slavica Anastasovska [email protected].
