Gostivari ndez “flakadanët e lirisë”
Për herë të dhjetë me radhë, në qytetin e Gostivarit do të ndizen sërish “flakadanët e lirisë” për nder të veprimtarëve më të dëshmuar të rezistencës aktive kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilët u vranë në pritë më 17 janar 1982, në kohën kur ishin në prag të unifikimit të Lëvizjes Kombëtare...

E veçanta e manifestimit jubilar do të jetë prania e bashkëshortes së Kadri Zekës, Sajme Jusufi, dhe bashkëshortes së Jusufit, Suzana Gërvalla, në këtë manifestim kushtuar dëshmorëve që simbolizojnë “Flakën e Janarit”.
“Ne e dimë që data e rënies së tyre është 21 janari, por në koordinim me qytetet tjera, Gjilanin, Prishtinën, Kërçovën ramë në ujdi që Gostivari ta mbajë më 16 janar manifestimin, për arsye që organizatorët të kenë mundësi të jenë prezent në të gjitha organizimet. Është bërë praktikë tani më që të na vijnë mysafirë, veprimtarë dhe bashkudhëtarë të këtyre tre figurave dhe për atë konfirmimin e kanë bërë Suzana Gërvalla, e shoqja e Jusuf Gërvallës, Sajme Jusufi, e shoqja e Kadri Zekës, e cila qëndroi në ballë të udhëheqjes dhe aktiviteteve që veproheshin për 30 vite në mërgatë dhe ajo sivjet zgjodhi Maqedonisë që për herë të parë të vijë dhe t’i përshëndet pjesëmarrësit”- deklaroi organizatori, Luan Veliu.
Manifestimi tradicional “Flaka e Janarit–2015”do të mbahet në Qendrën për Kulturë në Gostivar dhe do të zgjasë tre ditë me radhë, duke filluar nga 14 janari deri më 16 janar, ndërsa do të mbështetet nga Komuna dhe Qendra për Kulturë në Gostivar. (Valbon Bexheti, TVM2)
