Maqedoni

Bytyqi: Inspektime në magazinat e peletave për të parandaluar rritjen artificiale të çmimeve

20.07.2022 19:09

Për momentin çmimet e peletave dhe druve për zjarr, është dyfishuar krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar....

Për momentin çmimet e peletave dhe druve për zjarr, është dyfishuar krahasuar me të njejtën  periudhë të vitit të kaluar. Përveç çmimeve të larta, shumë nga tregtarët po i fshehin dhe i grumbullojnë këto materie ngrohëse, duke thënë se nuk kanë stoqe në magazina ose se të njejtat mund të blihen, por vetëm në sasi të kufizuara. Qeveria vlerëson se kjo rritje është artificiale. Zëvendëskryeministri për çështje të Ekonomisë, Fatmir Bytyqi thotë se  inspektorët do të kontrollojnë kompanitë që shesin peleta, për të parë nëse ndonjë prej tyre i fsheh në këtë kohë për t’i shitur në dimër me çmim më të lartë.

“Sot në seancën e Qeverisë, pas votimit unanim, vendosëm t'i japim detyrë Inspektoratit që të dalë në terren për të vërtetuar nëse indikacionet e tilla janë të vërteta. Të dhënat tregojnë se ata shitësit thonë që nuk ka sasi peletash dhe druri, por artificialisht po i rrisin çmimet, siç ndodhi edhe me produktet ushqimore. Po të kishim sot një ligj për përfitimin ushtarak, do të kishim reaguar lehtësisht. Është duke u përgatitur Ligji për Marrëdhënie të Drejta në Ekonomi, ku do të rregullohet kjo çështje. Derisa kjo të bëhet, ne do të ndërhyjmë në përputhje me rrethanat, siç bëmë me produktet ushqimore.”, tha Bytyqi.
 
Qeveria në seancën e sotme miratoi edhe vendimin për ndalimin e eksportit të peletave, drurit, grurit dhe miellit.